19 Janar, 2023 - 9:47 pm
Në institucionet qendrore të artit në vendin tonë gjatë vitit 2022 janë organizuar gjithsej 832 shfaqje nga 569 shfaqje që u realizuan në 2021-shin.
Shifrat u bënë publike në një postim në rrjetet sociale nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se, “krahasuar me vitet e kaluara, ky tregues ka pësuar rritje”.
Përgjatë periudhës 2019-2021 numri i shfaqjeve në institucionet e artit ra për shkak të kufizimeve nga pandemia e COVID-19.
‘Viti 2022 ishte viti i ringritjes për artin dhe kulturën. Vetëm nga institucionet qendrore të artit u realizuan 823 shfaqje, me një rritje të ndjeshme me dy vitet e mëparshme”, u shpreh Margariti.
Në institucionet qendrore të artit e të kulturës përfshihen: Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri Metropol, Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë, etj./KultPlus.com