23 Shkurt, 2022 - 1:32 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot shkrimtarin dhe dramaturgun Don Ndre Zadeja, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.
“Kujtojmë sot Dom Ndre Zadenë, shkrimtarin, dramaturgun, një nga martirët e Kishës Katolike”, u shpreh Margariti.
Don Ndre Zadeja lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Ai kishte një formim të gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik, dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij të para “Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, dha një ndihmesë të madhe për themelimin e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin veglat e frymës.
Përpjekjet e para për botimin e veprës së Zadejës u bënë në vitet 1938-44 nga “Kumbona e së Dieles”, organ i famullive të Kryedioqezës të Shkodrës, ku panë dritën e shtypit një pjesë e vjershave dhe e melodramave të tij.
Por “Kumbona” nuk mundi ta nxjerrë në dritë veprën e plotë, sepse botimi i revistës u ndërpre. Pesëdhjetë vjet më vonë këtë detyrë të vështirë e mori mbi vete Lec Zadeja, i cili bëri përpjekjen për t’i dhënë letërsisë shqipe një Zadejë sa më të plotë, në veprën “Dom Ndré Zadeja, Veprat”, në dy vëllime(1994 -1996) botuar në Lezhë nga shtypshkronja “Gjergj Fishta”. Përmes kësaj vepre të punuar me dashuri, lexuesi njihet me Zadejën poet, prozator e dramaturg.
Poezitë e para të Zadejës janë: “Muzhika” e “Piktura”, përmes të cilave u këndon këtyre arteve që lartojnë e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Pastaj Meshtari poet, duke ecur në gjurmët e Etërve Xanoni, Fishta, Prenushi e të tjerëve, krijoi një cikël me poezi fetare, si “Natyra e Zojës”, “Falni”, “Të Kryqëzuemit”, “Shêjtnorja e Zojës” etj. Poezitë përshkohen nga fryma e filozofisë së krishterë, këndojnë mirësinë, dashurinë e faljen. Duke provuar ritme, metra e strofa të ndryshme, Zadeja solli një ndihmesë të madhe në pasurimin e prozodisë shqiptare.
Pas hyrjes së regjimit komunist, u arrestua më 4 shkurt 1945. U pushkatua te varrezat e Rrmajit më 25 mars 1945./atsh/ KultPlus.com