Margariti: Më shumë investime dhe shpërblim për punëtorët e kulturës

19 Nëntor, 2023 - 3:30 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaron se buxheti i vitit 2024 për kulturën, parashikon një rritje me 14% më shumë se viti që po lëmë pas.

Margariti shprehet se kjo rritje “përkthehet më shumë investime, më shumë mbështetje, më shumë shpërblim për punëtorët e kulturës”.

Gjatë prezantimit të pr.buxhetit Në komisionet parlamentare, Margariti ka bërë me dije se do vijojë puna për projekte që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare.

Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza, mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve, promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare, kanë disa nga prioritetet e buxhetit 2024 për Ministrinë e Kulturës. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme