Margariti me tenorin Ramë Lahaj: Bashkëpunim me fokus talentet e reja

24 Gusht, 2022 - 10:51 am

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me yllin e operistikës botërore, tenorin Ramë Lahaj.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shprehet se gjatë takimit të ngrohtë, u ndanë ide bashkëpunimi, të cilat do të kenë në fokus talentet e reja.

“Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Ramën, në skenën tonë”, u shpreh Margariti.

Ramë Lahaj ka lindur në Istog të Kosovës, më 1983, në një familje  me 8 fëmijë dhe që s’kishte asnjë lidhje me muzikën. U diplomua fillimisht për IT duke e nisur karrierën muzikore në moshë madhore.  Është diplomuar në 2008 në Akademinë e Arteve në Tiranë, për t’u bërë më pas pjesë e skenave të ndryshme europiane. Në 2015-ën karriera e Ramë Lamaj pati sukses të jashtëzakonshëm me rolet kryesore në Operën e Sidnejt, Australi.

Tenori Lahaj ka ngritur një fondacion me qëllim promovimin dhe kultivimin e muzikës së mirëfilltë në vend, gjetjen e talenteve të reja, zhvillimin e tyre dhe po ashtu hulumtimin dhe perfeksionimin mbi muzikën në përgjithësi dhe këndimin operistik në veçanti.

Ramë Lahaj ka shfrytëzuar njohjen e tij në arenën ndërkombëtare, për të çuar në Prishtinë, mjeshtra të muzikës nga e mbarë bota, në masterclasset, duke krijuar ura lidhëse mes artistëve të rinj dhe atyre në karrierë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme