18 Shkurt, 2022 - 12:36 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, piktorin dhe arkitektin Maks Velo.
“Mirënjohje arkitektit, piktorit, shkrimtarit Maks Velo, prania e të cilit do jetë gjithnjë mes nesh”, u shpreh Margariti.
Maks Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.
Me të mbaruar gjimnazin Maksi vazhdoi studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë. Në vitin 1960 ka marrë pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë dhe më pas ka punuar pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Vitet ’78-’79 ishin vitet më të vështira të jetës së tij pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.
Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është kushtuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj./atsh/ KultPlus.com