29 Maj, 2022 - 3:00 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë vizitës së saj në Berlin vizitoi Muzeun Hebraik në Berlin (Jewish Museum Berlin), ku u prit nga drejtori Martin Michaelis.
“Kujtesa është ajo çka na bën të ndërgjegjshëm për atë që jemi e të mos biem në gabimet e së shkuarës”, tha Margariti në rrjetet sociale, ndërsa ndau momente nga kjo vizitë.
Margariti theksoi se “ky është një muze bashkëjetese, si ai që edhe ne po ngremë në Vlorë”.
“Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i ideve dhe eksperiencave, për finalizimin e institucionit më të ri të kujtesës, Muzeun Hebraik Shqiptar”, tha ajo.
Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë.
Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.
Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit./atsh/ /KultPlus.com