Margariti: Në Dibër do të ngrihet itinerari i Skënderbeut

11 Maj, 2023 - 12:12 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka njoftuar nga një takim në Dibër se do të ngrihet itinerari i Skënderbeut, edhe të 100 kullave, që do t’i ftojnë vizitorët, jo vetëm të shkojnë kalimthi, por të qëndrojnë e të shpenzojnë kohë në këtë zonë me një natyrë të mrekullueshme.

“Me dibranët, që me aq fanatizëm ruajnë çdo gjurmë të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u takuam dje për çështje të artit dhe trashëgimisë kulturore”, u shpreh Margariti në rrjetet sociale.

Ministrja tha se, Qarku i Dibrës shquhet si një destinacion kulturor, pasi Dibra e kullave, e mikpritjes dhe kulinarisë, e njerëzve zemërbardhë e të mençur ka gjithë potencialin për të qenë e tillë.

Takimin me dibranët, ministrja Margariti e zhvilloi në Bulqizë.

“Falë Rrugës së Arbërit, Bulqiza po i afrohet gjithnjë e më tepër kryeqytetit, sepse aty pranë është edhe Maqellara, edhe Zerqani, që me më shumë bashkëpunim e besim mund të rimëkëmben e të kthehen në qendra ftuese kulturore”, theksoi Margariti. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme