Margariti: Një koleksion i pasur i regjisorit Kristaq Dhamo i shtohet Arkivit të Filmit

2 Gusht, 2023 - 12:45 pm

Një pasuri e vyer e regjisorit Kristiaq Dhamo, i cili ndërroi jetë një vit më parë, i shtohet Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se “në prag të përvjetorit të vdekjes së kineastit të madh Kristaq Dhamo, një prej pionierëve të filmit shqiptar, familja i dhuron Arkivit të Filmit një koleksion të pasur, që shërben jo vetëm për plotësimin e dosjes së kineastit, por edhe të historisë së kinematografisë shqiptare”.

Margariti tha se “bëhet fjalë për korrespondenca të kohës studentore, shënime, komente, referate të mbajtura në simpoziume etj., që do t’u shërbejnë studiuesve dhe kritikëve”.

Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji. Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Ai ishte regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, që ishte edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Në 1979 iu dha titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 u nderua me çmimin e karrierës.

Regjisori Kristaq Dhamo ndërroi jetë më 14 gusht të 2022./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme