Margariti: Një miliardë lekë për Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijët

31 Tetor, 2022 - 1:16 pm

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u diskutua sot në parim projektligji “Për Buxhetin e Vitit 2023”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë komision ka bërë një përmbledhje nismave madhore të qeverisë, në fushën e artit, kulturës e trashëgimisë kulturore si dhe i njohu të pranishmit me buxhetin e parashikuar për vitin 2023.

“Megjithë vështirësitë, krizën energjetike botërore e luftën në Ukrainë, arritëm të vinin në jetë programe e nisma madhore”, tha Margariti.

Ministrja u ndal fillimisht tek programi i “Bonusit të Rijetësimit”, i cili sipas saj, nuk është vetëm unifikim i fasadave dhe ansambleve arkitekturore, por gjithashtu ndihmon në ngritje biznesesh e startup-eve, me një fond prej 100 mln lekësh, ku përfitojnë 40 aplikues, 20 prej të cilëve në zona UNESCO si Gjirokastra e Berati.

“Ky projekt i ministrisë së Kulturës, po zhvillohet në bashkëfinancim me pronarët e objekteve, duke krijuar në këtë mënyrë sinergji me komunitetin dhe kjo është një nga nismat më të mira, projekt ky që do të aplikojnë edhe përgjatë vitit 2023. Duke parë kërkesat e shumta, buxheti për “Bonusin e Rijëtësimit” do të jetë 50% më shumë, vitin e ardhshëm. Vlera reale është pothuajse dyfishi i asaj që kemi alokuar”, tha ministrja duke shtuar se financimi i plotësuar nga komuniteti, për 2023 do të arrijë në 300 mln lekë.

Margariti theksoi se, “një tjetër nismë e suksesshme është ajo e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Që prej çeljes së tyre, në muajin prill e deri më sot, ato kanë sjellë 300 aktivitete me përfshirjen e mbi 500 mijë personave. Për javët kulturore është parashikuar fondi prej 140 mln lekësh, por financime të tjera do të ofrohen nga biznese, partnerë të huaj e përfaqësitë diplomatike të vendeve pjesëmarrëse, të cilat vitin që vjen do të shtohen”.

Ajo tha se, kjo është një nismë kombëtare që prek gjithë territorin shqiptar për të cilën është me rëndësi aktivizimi i fondeve të veçanta përveç buxhetit të shtetit.

Më tej ministrja e Kulturës përmendi investimin prej 3,7 mln lekësh në restaurimin e sallës së Akademisë së Arteve, transformimin e hapësirave të ish Kinostudios, përfshi një pjesë të mjediseve të ministrisë së Kulturës, të cilat do vihen në dispozicion të aktiviteteve kulturore, muzeun hebraik në Vlorë, i cili pritet të kthehet në magnet turistësh si dhe projekti TID i Durrësit, i ngjashëm me TID Tirana, e TID Gjirokastra.

Sa i përket Galerisë Kombëtare të Arteve, ministrja tha se buxheti i vitit 2023 parashikon alokimin e 1 miliardë lekëve për rikonstruksionin e plotë dhe shtimin e hapësirave për edukim, restaurim e digjitalizim, duke sjellë 3 sektorë të rinj që rrisin mundësitë për punësim.

Gjatë diskutimit në komision u përmend edhe fondi i pagave për sektorin e Kulturës, i cili për 2023-shin do te ketë një shtesë prej 154 milionë lekësh, ndryshim i cili lidhet me vendimin e Këshillit të Ministrave.

E pyetur nga kryetarja e komisionit, Flutura Açka, se çfarë do të ndodhë me godinën e vjetër të Teatrit të Kukullave, ministrja Margariti tha se ajo godinë është një nga objektet që po restaurohet dhe që do te jetë zemra e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët, një sfidë prioritare e qeverisë. Ndërtimi i kësaj qendre kulturore do të nisë këtë vit dhe do të ketë fondin 1 mld lekë, duke i kthyer njëkohësisht dinjitetin parlamentit të parë shqiptar.

“Po sjellim një buxhet të shëndoshë dhe frytet e të cilit do të shihen në fundin e vitit 2025”, tha Margariti. / KultPlus.com

Të ngjajshme