Margariti: Po punohet për plotësimin e Regjistrit të Pasurive Kulturore

4 Janar, 2024 - 9:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot se po punohet për plotësimin e Regjistrit të Pasurive Kulturore.

“Krijimi i një regjistri të plotë të pasurive kulturore që ne kemi është prioritet për Ministrinë e Kulturës. Gjatë vitit 2023 Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ka regjistruar 15,166 objekte, ndërsa në vitin 2022 ky numër ishte 6,220”, u shpreh Margariti në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se, ky proces do të vijojë edhe përgjatë këtij viti me ritme edhe më të shpejta.

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) është ai që ka për detyrë krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK-ja, në funksion të përmbushjes së misionit të vet, bashkëpunon me institucionet e shtetit shqiptar, organet e policisë, institucionet doganore si dhe institucionet ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore./KultPlus.com

Të ngjajshme