18 Mars, 2020 - 5:30 pm
Banesat ‘monument kulture’ janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të këtyre monumenteve.
Duke publikuar disa fotografi nga momente pune për restaurimin e fasadës së banesës së kategorisë I, të Bozho Filerit, në Lagjen “Gorricë”, Berat, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “ruatja e trashëgimisë kulturore është një nga misionet më të rëndësishme. Me gjithë vështirësitë e shumta që hasen për shkak të numrit të madh të objekteve dhe shtrirjes gjeografike, specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, po bëjnë më të mirën”.
Punimet konsistojnë në konsolidimin e muraturës së murit të gurit, në fasadën lindore, injektim, fugatim dhe trajtim i elementeve të strehës në pjesët e dëmtuara. Restaurim i murit çaterma, i fasadës dhe elementeve drusore të fashaturave horizontale dhe kolonetave të qosheve.
Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.
Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. / Atsh / KultPlus.com