28 Qershor, 2023 - 7:00 pm
Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës bënë të mundur markimin e shtegut “Gjelaj-Ujëvara e Valbonës” pjesë e parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.
Në një postim në rrjetet sociale ADZM Kukës ndau momente nga puna për markimin e shtegut.
“Një shteg mjaft i vizituar nga turistët me një vështirësi mesatare dhe gjatësi rreth 3 km”, theksoi ADZM Kukës.
Një nga atraksionet më kryesore të Valbonës ngelet lidhja e saj me luginën e Thethit përmes qafës me të njëjtin emër, Qafa e Valbonës. Një shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj çdo sezon.
Qafa malore që lidh Thethin me Valbonën e merr emrin nga kjo e fundit, Qafa e Valbonës e vendosur në një lartësi 1759 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga maja të tjera me të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.
Shtegu i kalimit këmbësor fillon ekzaktësisht në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam i Shalës, në pjesën e sipërme të luginës së Valbonës dhe konsiston në 9.5 km shteg nga kjo pikë e deri në Gjelaj të Thethit.
Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë. Ajo që duhet thënë ështe se nëse e filloni ecjen nga Valbona ky itinerar është më i lehtë për t’u përshkruar. Kjo pasi ka një disnivel më të vogël për të përshkuar (rreth 630 metra) ndërkohë që disniveli nëse fillohet nga Thethi është rreth 850 metra nga Thethi në qafë./atsh/KultPlus.com