20 Dhjetor, 2024 - 9:00 pm
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për mbarëvajtjen e punëve dhe organizimeve të përbashkëta. Kjo marrëveshje mes institucioneve kërkimore dhe shkencore ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit profesional.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua në ambientet e Institutit Arkeologjik të Kosovës nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Naim Berisha dhe drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha. Të pranishëm ishin edhe sekretari shkencor, Adil Olluri dhe dy hulumtueset shkencore të fushës së arkeologjisë, Zana Hoxha, Elza Shipoli dhe arkeologu Luan Gashi.
Kjo marrëveshje është me rëndësi për punonjësit shkencorë të dy institucioneve, sidomos për punonjësit e sektorit të Arkeologjisë në IAP, sepse përfshinë organizimin e tryezave, konferencave dhe simpoziumeve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave, njohurive, shkëmbimin e botimeve e shumë aspekte të veçanta dhe të rëndësishme të punës që mund të kenë dy institucionet në kuadër të këtij bashkëpunimi./KultPlus.com