18 Korrik, 2024 - 4:13 pm
Mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar nënshkrua sot një marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi dhe Adrian Bylyku, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Kryetari i ASHSH, vuri në dukje se kjo marrëveshje nënshkruhet për zhvillimin e projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta në fushën e gjeoshkencave, duke konsideruar si objektiv kryesor të saj rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellët ndërmjet dy institucioneve në fusha me interesa të përbashkëta shkencore, me synimin që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të krijohet korniza juridike që lehtëson procedurat për forcimin e këtij bashkëpunimi, në përputhje me interesat e përbashkëta të të dyja institucioneve.
Gjinushi tha se ky bashkëpunim do t’i shërbejë promovimit të kërkimit shkencor, në monitorimin e vlerësimit të tij.
ASHSH do të jetë një qendër aktive e kërkimit shkencor duke afruar pranë saj disa njësi të rëndësishme, siç janë institutet e albanologjisë apo qendra e botimeve enciklopedike albanologjike dhe qendra e biogjenetikës; dhe pikërisht pranë Akademisë së Shkencave funksionojnë edhe disa njësi të përkohshme që kanë për qëllim që edhe në fushat e tjera, dhe veçanërisht në gjeoshkencë, Akademia e Shkencave të thotë fjalën e saj.
Por, për të luajtur këtë rol qoftë të nxitjes së kërkimit, qoftë të koordinimit të kërkimit shkencor, ASHSH nuk mund ta kryejë pa bashkëpunim me institucionet më të rëndësishme në këtë fushë dhe shërbimi gjeologjik për nga tradita, kapacitetet dhe përvoja që ka, e bën të domosdoshëm bashkëpunimin.
Kjo marrëveshje mundëson që të institucionalizohet dhe formatizohet ky bashkëpunim edhe me një kuadër ligjor, i cili është i domosdoshëm edhe për të përcaktuar më qartë format e bashkëpunimit dhe për të mbështetur dhe ligjëruar ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta.