10 Janar, 2025 - 5:30 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e dokumenteve mbi strehimin në Shqipëri të refugjatëve bashkëkombas, në arrati nga luftimet e vitit 1998-1999.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Prishtinë ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kreu i IKKL-së, Atdhe Hetemi.
Në fjalën e tij, Bido theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar si një mundësi për shpalosjen e dokumentacionit ilustrues dhe për shkëmbimit e ekspertizës mes dy institucioneve.
“Është detyrë për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që të ndihmojnë punën tuaj, duke mundësuar jo thjesht dokumentacionin që zotëron dhe që është i shumtë, veçanërisht mbi mënyrën sesi u pritën refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë Luftës, në vitin 1999, por edhe përmes ekspertizës sonë të mirëfilltë arkivore, të cilën ne e kemi të njëjtë dhe të bashkëndashme me homologët tanë të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Pranojmë që jemi dy shtete, por kur vjen fjala për histori, për trashëgimi kulturore, ne nuk mund të jemi ‘dy’, sepse nuk mund të kuptohet asnjë zhvillim i këtej anës së Drinit, pa bashkëveprim”, tha Bido.
Bido u shpreh se “është kënaqësi të nënshkruajmë këtë marrëveshje. E nisëm që sot. Sollëm 100 dokumentet e para që gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror për Luftën në Kosovë. Është krejt normale, pasi në fund të ditës, nga ana tjetër e këtij ambienti, ka Këndin Arkivor, si një prej dy institucioneve të vetme, së bashku me ambasadën e Republikës së Shqipërisë, me prani fizike në Kosovë”.
“Ne do të jemi në mënyrë të vijueshme krah punës që jeni duke kryer, në të mirë të profesionit, në të mirë të studimit dhe hulumtimit të historisë sonë kombëtare”, përfundoi Bido.
Ndërkaq, Hetemi u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet dokumentimi dhe ruajtja e të vërtëtave historike lidhur me Luftën në Kosovë.
“Kjo marrëveshje forcon lidhjet tona institucionale, duke kontribuar në dokumentimin dhe ruajtjen e të vërtetave historike, lidhur me krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë. Kjo marrëveshje, veç të tjerave, mundëson edhe shkëmbimin e materialeve arkivore dhe të ekspertizës ndërmjet dy institucioneve tona. DPA-ja me një përvojë mbi 75-vjeçare, ka një rëndësi të madhe në këtë drejtim, pasi përmban dokumente të vlefshme edhe të periudhës 1998-1999, kur Shqipëria u mobilizua për të mirëpritur qindra mijëra refugjatë shqiptarë”, tha Hetemi.
Bazuar në këtë marrëveshje dypalëshe, DPA-ja dhe IKKL-ja angazhohen për shkëmbimin e specialistëve, me qëllim përsosjen e praktikave arkivore në dokumentimin, hulumtimin dhe arkivimin e dokumenteve. Në fokus të këtij bashkëveprimi do të jenë mikrofilmimi, ruajtja, restaurimi, digjitalizimi, trajnimi i punonjësve, përgatitja e ekspozitave, mbajtja e konferencave, si edhe botimi i përmbledhjeve të dokumenteve.
Në funksion të një qasjeje të integruar në menaxhimin e informacionit, DPA-ja dhe IKKL-ja marrin përsipër unifikimin e shërbimeve studimore lidhur me pasuritë dokumentare që zotërojnë.
Në përputhshmëri me qëllimin e saj parësor marrëveshja parasheh hartimin e punimeve akademike mbi krimet gjatë luftës së Kosovës.
Palët nënshkruese ndajnë aspiratën për krijimin e partneriteteve me institucione rajonale dhe ndërkombëtare, të ngarkuara me ruajtjen dhe promovimin e kujtesës kolektive./atsh/KultPlus.com