14 Shkurt, 2024 - 11:13 pm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se Papa Françesku e ka nderuar Kardinalin shqiptar, Ernest Simon Troshani, i cili ka qenë i burgosur për tri dekada nga regjimi komunist.
“FOTO e mbrëmjes. Papa Françesku nderoi sot Kardinalin shqiptar Ernest Simon Troshani, “martirin e gjallë” që ka vuajtur për tre dekada torturat e burgjeve komuniste, historia e të cilit përloti Atin e Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri 10 vite më parë”, shkroi Rama në Facebook, raporton Klankosova.tv.
Në fund të Audiencës së Përgjithshme të kësaj jave, Papa Françesku la mënjanë fjalët e tij të përgatitura dhe i ofroi një përshëndetje të gjatë, pa shkrim, një prej vizitorëve të tij, raporton “Vaticannews”.
Pas diskutimit të historisë së martirizimit të krishterë në Romën e lashtë, Papa vuri në dukje se edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën dhe i dha një përshëndetje të veçantë kardinalit Ernest Simoni, të cilin e përshkroi si një “martir të gjallë”.
Fjalët e Papës
Papa Françesku e filloi nderimin e tij për kardinalin Simoni duke iu referuar shumë martirëve të krishterë të varrosur përreth tyre në Vatikan.
“Të gjithë ne kemi lexuar, kemi dëgjuar, historitë e martirëve të hershëm të Kishës”, tha ai. “Edhe këtu, ku është Vatikani tani, ka një varrezë dhe shumë janë ekzekutuar këtu”.
“Por, edhe sot”, theksoi Papa, “ka shumë martirë në mbarë botën: shumë, ndoshta më shumë se në fillim. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”.
Më pas ai prezantoi kardinalin Simoni, duke vënë në dukje se ai “jetoi 28 vjet burg” si rezultat i persekutimit komunist të Kishës në Shqipëri, i cili, tha ai, ishte “ndoshta më mizori” i këtij lloji.
Kardinali Simoni “vazhdon të dëshmojë”, theksoi Papa. “Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar”.
Pas lirimit nga burgu në vitet 1990, Kardinali Simoni i fali rojtarët e tij dhe rifilloi shërbimin e tij si prift, me një fokus të veçantë në promovimin e pajtimit në Shqipërinë postkomuniste.
“I dashur vëlla”, përfundoi Papa Françesku, “të falënderoj për dëshminë tënde”.
Njëzet e tetë vjet burgim
I lindur në fshatin Troshan, në veri të Shqipërisë, në vitin 1928, Ernest Simoni filloi studimet për priftëri brenda urdhrit françeskan kur ishte vetëm dhjetë vjeç.
Në vitin 1948, manastiri françeskan ku ai po qëndronte u godit nga agjentë të regjimit komunist. Fretërit u pushkatuan dhe të tjerët u dëbuan.
Pavarësisht kësaj, Simoni vazhdoi studimet e tij teologjike në fshehtësi dhe u shugurua klandestinisht meshtar në vitin 1956.
Në vitin 1963, pas meshës së Krishtlindjes, Simoni arrestohet dhe burgoset. Ai qëndroi pas hekurave për njëzet e tetë vjet, duke u përballur me izolimin dhe shumë vite punë të rëndë.
Papa Françesku u takua me At Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në shtator 2014 dhe u përlot kur e dëgjoi duke diskutuar për vuajtjet e tij. Pasi u kthye në Romë, Papa vendosi ta bënte priftin e moshuar Kardinal. /Klankosova.tv/KultPlus.com