26 Shtator, 2024 - 3:55 pm
Përse ishte Shkodra e para, që u bë djepi i artit realist shqiptar? Përse Kolë Idromeno u bë artisti i parë realist shqiptar dhe përse do ishin të rinjtë shkodranë të parët ndër shqiptarët, që nisën të ëndërronin të bëheshin piktorë?
Rreth këtyre pyetjeve interesante u zhvillua takimi me studiuesen Eleni Laperi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Studiuesja në fushën e arteve pamore dhe autore e librit “Kolë Idromeo, themeluesi i artit realist shqiptar” u foli të pranishmëve mbi jetën e një artisti si Kolë Idromeno. Takimi “Kur të rinjtë shkodranë nisën të ëndërrojnë të bëhen piktorë”, u zhvillua në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, duke u mbështur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Muzeu “Marubi” shkroi në faqen e tij se, “kur nis të punosh për të njohur jetën e një artisti si Kolë Idromeno, kupton se sa e rëndësishme është të saktësosh faktet, të dish të ndash legjendën nga realiteti historik, të shpëtosh nga prirja për ta zbukuruar realitetin. Madje edhe legjendave të duhet t’u gjesh shkaqet historike, që i krijuan.”
Këto janë pika kyç që shënjojnë procesin e njohjes, të dokumentimit të zhvillimeve historike, gjeopolitike, ekonomike e kulturore, të cilat krijuan kushtet, që në Shkodër të hapej e para studio e fotografisë dhe e para atelie e artit realist shqiptar
Muzeu “Marubi” ashtu si edhe institucione të tjera kulturore në vend, ka organizuar disa aktivitete në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com