“Marubi” me një seri ekspozitash përgjatë vitit 2025

12 Mars, 2025 - 5:00 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka publikuar programin vjetor të ekspozitave për vitin 2025, duke premtuar një sezon me aktivitete të shumta dhe të larmishme.

Ekspozita më e afërt në kalendar është “Venus” e cila nis në datën 20 mars dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor 2025.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Lek Gjeloshi, është rezultat i një kërkimi të gjatë në koleksionet e Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës. Repertorin e tyre fotografik, në një moment të caktuar, e përshkon prania e një skulpture: hyjnisë antike, Venusit, e cila kundron e palëvizshme disa ngjarje që, njëherë e njëkohë u zhvilluan në oborrin e një shtëpie të rëndësishme qytetëse, ku edhe u dokumentuan ngjarje të përveçme dhe ndryshimet e forta politike.

Projekti i ekspozitës mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ndërkohë ekspozita që parashikohet të çelet në qershor për të qëndruar deri në shtator 2025, titullohet “Pazari i humbur i Shkodrës- Ringjallja e një kujtese”, me kuratore Kim Knoppers dhe që mbështetet nga MEKI, Muzeu Etnografik, Ambasada Holandeze, Ambasada e Hungarisë, Instituti i Antropologjisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Nga shtatori deri në nëntor, “Marubi” do t’i ofrojë publikut një tjetër ekspozitë, “Drejt shtëpisë”. Ekspozita vjen si prodhim i artistëve nga programi i rezidencës së Art House School, kuruar nga: Niovi Zarampouka-Chatzimanou, Luçjan Bedeni, Tea Paci, Zef Paci.

“Olbania” do të përmbyllë ekspozitat e këtij viti, madje do të jetë e pranishme edhe në 2026-ën. Ekspozita nga Alterazioni Video çelet në nëntor 2025 – shkurt 2026 dhe do të kurohet nga Sara Dolfi Agostini, në bashkëpunim me MEKI-n dhe Institutin Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme