6 Dhjetor, 2021 - 9:31 am
Përhapja e variantit Omicron në shumë vende të botës, ka bërë që Qeveria e Kosovës të marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e këtij varianti të ri të coronavirusit.
Si rezultat i këtyre masave çdo person i cili hynë në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19; certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit të plotë.
Gjithashtu sipas masave të reja, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike, dhe gjatë ngrënies apo pijes.
Në ambientet e mbyllura ndalohet rrepësisht hyrja pa maskë. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00 përveq në raste urgjente.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.
Shfrytëzimi i transportit publik lejohet vetëm me dëshmi vaksinimi. Këto masa kanë hyrë në fuqi nga dita e sotme 06 dhjetor 2021. /KultPlus.com