22 Janar, 2022 - 4:30 pm
Rastet rekorde të njëpasnjëshme me COVID-19 ndikuan që Qeveria e Kosovës të marrë vendim të ri rreth masave aktuale, duke ndryshuar orën policore dhe gjithashtu punën e gastronomisë, shkruan KultPlus.
Oda e Hotelierisë dhe Turzimit, përmes një postimi në llogarinë zyrtare ka reaguar për masat e reja anti-COVID, duke thënë se janë marrë pa konsultim me shoqatat që i përfaqësojnë bizneset.
“Masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë, kufizimet për këto sektorë kanë qenë gjithmonë prezente, nuk u është lejuar të punojnë me kapacitete të plota, janë përballur me masa të rrepta dhe me dënime të shumta të paarsyeshme. Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo mediave tona”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Hotelieria dhe gastronomia, sipas tyre, nuk kanë qenë asnjëherë vatër e infeksioneve.
E për rritjen e rasteve me COVID-19, Oda fajëson Qeverinë e Kosovës.
“Për mos ta zgjatur shumë rritja e rasteve të të infektuarve është një fatkeqësi, dhe krejt kjo po ndodh falë neglizhencës së Qeverisë si ndaj shëndetit publik ashtu edhe ndaj shëndetit ekonomik”.
Oda ka bërë gjithnjë e më shumë thirrje që institucionet të konsultohen me bizneset para marrjes së vendimeve për masa, sepse problemet dhe dëmet po shtohen çdo ditë e më shumë.
Protestat nga Shoqata e Gastronomoëve të Kosovës kanë qenë në numër të madh vitin e kaluar. /KultPlus.com