19 Tetor, 2022 - 3:24 pm
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndarë çmime dhe mirënjohje për 45 nxënës të cilët kanë marrë çmime në gara ndërkombëtare dhe vendore gjatë vitit 2022, si nismë e re me qëllimin që të shërbejë si motiv për punë të mëtutjeshme.
Shuma totale që Ministria e Arsimit e ka ndarë për këtë mbështetje për këta nxënës është 28.300 euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast kanë përgëzuar nxënësit, prindërit dhe të gjithë mësimdhënësit për çmimet e fituara dhe talentin e tyre jashtëzakonshëm.
Kryeministri Kurti theksoi se, një nga shtyllat kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës është arsimi cilësor, prandaj Qeveria e Kosovës me qëllim që të ofrojë mundësi sa më të mira për nxënësit dhe studentët tanë ka ndarë buxhet në vlerë 3.5 milionë euro për praktikë profesionale, bursa për vajza, kuponë për kurse të IT, bursa STEM, si dhe ka ofruar përkrahje në forma të ndryshme.
Ndërsa, ministrja Nagavci tha se ndjehet e emocionuar në mesin e këtyre nxënësve të veçantë, që na përfaqësuan dinjitetshëm nëpër gara vendore dhe ndërkombëtare, duke marrë çmime të rëndësishme gjatë vitit 2022.
Ajo theksoi se, Ministria e Arsimit në vazhdimësi harton dhe monitoron zbatimin e politikave për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fusha akademike, kreative dhe artistike, duke punuar me përkushtim në sigurimin e kushteve më të mira në shkolla, me hapësira ku nxënësit mund të shprehin dhe të zhvillojnë talentin e tyre.
Ministrja Nagavci falënderoi organizuesit e këtyre garave, të cilët kanë vendosur që në fushëveprimin e organizatave të tyre, të kenë pikërisht talentet nga shkollat tona, duke premtuar se MAShTI do të kërkrahë secilin talent në çdo fushë dhe do të krijojë mundësi të reja që ta shprehin talentin.
Ndryshe, disa nga garat të cilat organizohen nga OJQ të specializuara dhe janë një mundësi e mirë për identifikimin e talenteve të fushave të ndryshme janë:Olimpiada Kombëtare e Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiada e Matematikës Kosovë-Shqipëri, Olimpiada Matematike Ndërkombëtare, Kupa Matematike Evropiane, Math Kangoroo./ KultPlus.com