MASHTI njofton se testi i maturës mbahet në korrik, do të ketë 100 pyetje

12 Maj, 2020 - 3:13 pm

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020. Kështu ka vendosur Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), pas konsultave me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Për ditën dhe datën e saktë të testimit do të vendoset ditët në vijim, pas konsultave edhe me institucionet tjera.

“Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, në konsultim me IKSHPK-në, provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, në mënyrë që zbatohen të gjitha masat për mbrojtje dhe parandalim të Covid 19”, thuhet në njoftim.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta.

Në test do përfshihen tri lëndë obligative, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, dhe një lëndë zgjedhore, që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen.

Brenda muajit maj maturantët do të informohen në detaje për të gjitha çështjet e rëndësishme që mund t’iu interesojnë, si: dita dhe koha e saktë e mbajtjes së provimit të maturës, afati dhe mënyra e paraqitjes së provimit të maturës, lista e lëndëve zgjedhore në dispozicion për maturantët, nga e cila secili maturant mund ta përzgjedhë një lëndë zgjedhore për test të maturës, etj.

Pas paraqitjes së provimit të maturës, të gjithë maturantët e paraqitur për provim do të informohen për qendrën dhe klasën e tyre të testimit, për mënyrën dhe rregullat e testimit, etj.

Për shkak se tashmë është vendosur që Provimi i Maturës Shtetërore 2020 të mbahet në javën e parë të korrikut 2020, MAShTI njofton Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, publike e private, që të planifikojnë mbajtjen e Provimeve Pranuese për studentët e rinj vetëm pasi të jenë shpallur rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020.

Kjo nënkupton që provimet pranuese afërsisht mund të mbahen në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht 2020, sepse pas mbajtjes së provimit të maturës nevojitet një kohë derisa të përpunohen rezultatet, të shqyrtohen ankesat, të shpallen rezultatet përfundimtare dhe derisa nxënësit të pajisen me diploma të shkollës së mesme. / KultPlus.com

Të ngjajshme