4 Mars, 2021 - 5:35 pm
Në një tavolinë katërkëndëshe, janë të ulur disa të rinj e të reja nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ajo tavolinë i bashkon ata në ide e punë ndonëse gjuha mund të jetë një gjë ndarëse për ta.
Por mbi të gjitha është bota e artit, aktivizim e barazia ajo që i bënë bashkë – rrjedhimisht një organizatë që merret ekskluzivisht me këtë gjë, siç është Artpolisi në Kosovë.
Mbi atë tavolinë, u vendosën disa maska. Në këtë kohë të maskave, nuk ka se si të mungojë një trajnim i tillë.
Detyra të pjesëmarrësve ishte që maskat t’i kthenin në personazhe. Tavolina u stërmbush me ngjyra.
E talenti i tyre u shkri aq bukur sa nga secili pjesëmarrës nxirrje diçka të re, maska dukej sikur ishte prodhuar ashtu e pak a shumë, mund të mësoje edhe nga personaliteti i këtyre të rinjve, që kjo gjë ua dha mundësin të shprehin diçka që jo gjithmonë e kanë mundësinë ta thonë.
Të rinjtë e të rejat që u bënë pjesë e Trajnimit të Programit të Forum Teatrit, që nga 26 shkurti deri më 1 mars, patën mundësi që të mësojnë shumë gjëra të reja përmes trajnerëve si regjisorja e njohur kosovare Zana Hoxha si dhe aktori Edlir Gashi.
Për aktorin Gashi, ky është një ndër bashkëpunimet e shumta me Artpolisin. Ai që nga viti 2017-të, është pjesë e këtyre aktiviteteve. Gjithçka për të ka nis si aktor, pastaj participant e tashmë është bërë edhe trajner. Pra, krejt ato që Gashi i ka mësuar kohë më parë nga Artpolisi dhe aktivitete e tilla, po ua paraqet tash edhe të rinjve që nga viti në vit bëhen pjesë e këtij programi.
Edlir Gashi, tregoi në lidhje me “Maskat”, workshop-i të cilin e udhëhoqi ditën e dytë të trajnimit.
“Sot ka qenë një ditë e ngarkuar por ka qenë kënaqësi, i kemi paraqit disa skena që i kemi improvizu dje. Kemi punuar në hapësirë ndërsa tani e kemi një lloj workshopi. Pasi që, jemi në pandemi dhe kemi pas të bëjmë me maska, ne kemi bërë diçka se si kishim pas mundësi t’i shfrytëzojmë maskat në një mënyrë tjetër. Ne kemi mendu që këto maska t’i shfrytëzojmë si karaktere, si personazhe që të pikturojmë mbi to”, tregoi fillimisht Gashi.
Ai tutje, foli edhe për pjesëmarrësit për të cilët pati fjalë mjaft të mira.
“Pjesëmarrësit janë të rinj dhe kanë potencial dhe po shpresoj që ky trajnim ka me shërbyer me i vetëdijesuar për teatër. Secili në mënyrën e vet i ka të mirat e veta, dhe secili në atë mënyrë pa aspak tremë ishte shumë mirë”, theksoi ai.
Djurdjica Kazic, ishte njëra nga pjesëmarrëset e cila përveç të tjerash këtë grup e cilësoi si një ndër grupet më pozitive me të cilin ajo ka bashkëpunuar.
“Aktivitetet janë realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Grupi si grup e ka dinamikën e saj, ka gjëra shumë pozitive dhe çka është më e mira, edhe pse nuk njihemi mes vete kemi arritë të bashkohemi. Çka e dallon këtë punëtori dhe grup prej të tjerëve, është se unë këtu nuk kam parë asnjë lloj paragjykimi diçka që kam hasë në punëtori të tjera. E ajo që ishte karakteristike, të gjithë kemi bërë përpjekje që të kuptohemi mes vete, duke qenë se nuk flasim të njëjtën gjuhë, dhe kjo është përshtypja ime më e fortë dhe më pozitive për këtë trajnim”, u shpreh Kazic.
Përveç aktiviteteve të tjera, ajo që ishte një temë kyçe në këtë trajnim, ishte edhe diskutimi i asaj se “Çfarë do të thotë për ju diversiteti, diversiteti kulturorë, toleranca, bashkëpunimi ndëretnik dhe pajtimi?”.
Diskutimi padyshim ishte mjaft impresionues, ndërsa tek pjesëmarrësit u vërejt ajo që aktivitete e tilla thyejnë tabutë për ta.
Një gjë të tillë e tha edhe pjesëmarrësja Valentinë Uka.
Kjo ishte hera e parë për të që merrte pjesë në një aktivitet të Artpolis-it, ndërsa tha se është e lumtur që ka arritur të bëhet pjesë e këtij trajnimi.
“Duke pas parasysh bagazhin e Artpolis, që e kam përcjellë përgjatë shumë kohe, kam qenë e sigurtë që do të kaloj shumë mirë dhe që do të mundemi të shkëmbejmë eksperienca e gjëra të reja. Aktivitete e tilla thyejnë stigmat, tabutë dhe gjëra të tilla duhet të vazhdojnë edhe më tutje”, u tha Uka.
Edhe për Ergjan Mehmetin, ishte hera e parë që merr pjesë në një aktivitet të Artpolisit, ndonëse ai tregoi se e ka ndjekë me shumë vëmendje gjithë punën e kësaj organizate. Madje, ai tha se i ka pëlqyer shumë puna e tyre dhe bashkëpunimet që Artpolis bënë më të tjerët.
“Kjo është hera e parë që jam pjesëmarrës në një aktivitet të Artpolisit dhe më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Unë gjithmonë i kam ndjekë aktivitete e Artpolisit dhe më ka pëlqyer shumë puna e tyre dhe bashkëpunimi që ata bëjnë me të tjerët. Më pëlqejnë shfaqjet që janë me mesazhe të forta dhe të rinjtë që janë pjesëmarrës këtu trajtohen gjithmonë barabartë, gjë që ndalon racizmin, diskriminimin dhe steriotipet që ne i hasim në shoqërinë tonë”, tregoi ai.
I gjithë ky aktivitet që zgjati katër ditë, pati gjithsej njëmbëdhjetë sesione. Në natyrën e bukur të qytetit të Prizrenit, të rinjtë e të rejat patën mundësi që përveç të tjerash të mësojnë shumë më shumë për teatrin. Në fund të gjithë kësaj, këta pjesëmarrësu u nderuan me nga një certifikatë, ndërsa mbi të gjitha atyre u mbeti një miqësi e përhershme që lidhën aty.
Ky aktivitet mbështetet nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i zbatuar nga Artpolis dhe OJQ AKTIV si anëtare të Koalicionit të Kosovës për Pajtim (KCR).
Kujtojmë se aktivitetet e Koalicionit të Kosovës për Pajtim fokusin e kanë në përqendrimin dhe bashkimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë, integrimin e tyre të përbashkët, shkëmbimin dhe njohjen e kulturës së të gjithëve, me qëllim të pajtimit. /insajderi.org/ KultPlus.com