Matohasanaj, fshati në rrënojat ilire, atraksion i veçantë për turistët

3 Qershor, 2020 - 3:50 pm

Matohasanaj, fshati 30 km larg qytetit të Tepelenës që njihet ndryshe edhe si “Gjirokastra e vogël”, ngrihet në rrënojat ilire që datojnë përgjatë shekullit XIX – XX, duke ngjallur gjithënjë e më shumë, një interes të shtuar të vizitorëve dhe turistëve të huaj për ta parë nga afër këtë fshat.

Bashkia Tepelenë ka publikuar një seri fotosh nga ky fshat, me histori të veçantë dhe shpjegon se banorët përgjatë shek. XIX – XX kanë jetuar më së shumti në emigracion dhe fshatin që shikojmë sot, është ngritur nga projektet e Izmirit, Turqi, në kohën e pushtimit turk.

Fshati ka një pozitë tejet të veçantë gjeografike. Rrethohet nga malet e larta dhe ngrihet sipër një kodre tejet panoramike, ku lehtësisht kuptohet pse në të gjendet edhe një fortifikim mjaft interesant antik.

Sipas dokumentimeve të pakta historike edhe arkeologjike fortifikimi thuhet se i përket shek. II – III p.e.s (Kuvendi i Studimeve Ilire vol. I fq.117) ndërtuar fillimisht nga Nomadët, me gurë masiv në formë trapezoide dhe kuadratike pa llaç, e sigurisht më pas shfaqen shenjat e ndërhyrjeve restauruese me blloqe guri të latuar në formë drejtëkëndore.

Disa gjurmë sipërfaqësore shfaqin dukshëm gurët e vendosur në gjysmë harku që mesa duket ka qenë amfiteatri, e megjithatë përveç shpalljes si monument kulture (1963) asnjë kërkim nuk është bërë më tej.

Matohasanaj është pjesë e ciklit të pashkëputur të vendbanimeve antike që nis pa u shtyrë më tej nga: Hadrianopoli – Antigonea – Fortifikimi antik i Leklit – Tepelena, Qyteza Ilirke e Horës – Vendbanimi antik i Matohasanaj-t, Amanatia – Ploçë – Apllonia , me një distancë 15 – 25 km nga njëra tjetra.

Sot fshati ka rreth 40 banesa 2 katëshe, e bashkë me të kanë mbijetuar kultura e zakonet e zonës.

“Mund të jenë banorët më mikpritës të Lopësit. Të thjesht në dukje, të qetë edhe me një respekt të veçantë për mikun e tyre… Ajo që vlen të thuhet është fakti se ky fshat ka thesare historike, që e bëjnë një potencial të rëndësishëm për tu vizituar nga turistët”, bën të ditur bashkia Tepelenë.

Ndërsa i fton vizitorët që nëse kanë ndërmend të qëndrojnë dy ditë në Tepelenë, mund të bëhen udhërrëfyes historik, për ta bërë këtë fshat të bukur t’mos vdes nga harresa. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme