14 Qershor, 2020 - 10:20 am
Maturantët në Shqipëri do të protestojnë sërish ditën e sotme (15 qershor) në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit.
Ata kërkojnë rikishikim të tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa pretendojnë se testi i kësaj lënde ishte absurd.
Në protestën e djeshme (14 qershor) nuk munguan pankartat me personazh Turin si dhe gjuajtjet me vezë në drejtim të ministrisë.
Pas më shumë se 2 orë proteste, disa nxënës u futën në ambjentet e Ministrisë së Arsimit për të dorëzuar një aktkonstatim prej 10 pikash të hartuar prej tyre dhe ekspertë të fushës. Ata kanë paraqitur me shembuj në këtë draft, ku sipas tyre tregojnë dhe gabimet në hartimin e tezës së Gjuhë – Letërsisë.
Maturantët kërkojnë gjithashtu që të mos shkruajnë emrat e tyre në tezat e provimit.
Ndërkohë protesta do të ketë edhe nga maturantë në Kamëz, Lezhë dhe Korçë. Përmes rrjeteve sociale ata kanë bërë thirrje që të shpëtojnë të ardhmen e tyre.
Protesta pati edhe nga maturantët në Shkodër. Ata u shprehën të gatshëm të bojkotojnë provimin e radhës të maturës nëse Ministria nuk tërhiqet për të plotësuar kërkesat e tyre, shkruan oranews.tv.