11 Shtator, 2021 - 5:01 pm
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Zonja e parë Jill Biden, morën pjesë këtë të shtunë në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Ata ishin të pranishëm ceremoninë fillestare në Nju-Jork, në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake, të rrafshuara pas përplasjes së dy avionëve të marrë peng nga terroristët e Al Qaeda-s.
Në ceremoni u bashkuan edhe dy ish-presidentë, Bill Clinton dhe Barack Obama, ndërsa u vu re mungesa e presidentit George W. Bush dhe Donald Trump. Por ndërsa Bush është njoftuar se do të marrë pjesë e madje do të mbajë edhe një fjalim në Shenksvill, vendin ku u rrëzua avioni i katërt i marrë peng nga terroristët me objektiv Uashingtonin, mësohet se Donald Trump do të vizitojë i vetëm vendin e Kullave Binjake.
Trump mendohet se do të shoqërohet në këtë vizitë nga Rudy Giuliani, avokati i tij personal, i cili në kohën e sulmeve ishte kryetar i Bashkisë së qytetit të Nju-Jorkut.
Gjatë ceremonisë u lexuan emrat e viktimave të sulmeve, ndërsa pas kambanave që ranë në orën ekzakte kur dy avionët u përplasën me Kullat Binjake, këngëtari nga Nju Xhersi, Bruce Springsteen këndoi këngën e tij “I’ll See You In My Dreams”, pjesë e albumit të tij “The Rising”, botuar në vitin 2002, si një përgjigje për sulmet e 11 Shtatorit. / a2news / KultPlus.com