Mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, Rama: BE është ëndrra dhe sfida jonë

19 Korrik, 2022 - 3:30 pm

Në Bruksel u mbajt sot Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që shënon hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Konferencë u shpreh se, “është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje.

“Ju e dini të gjithë shumë mirë që në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka. Por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian. Është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë. Është fati ynë”, tha Rama.

“Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori dhe regji që nuk i kemi zgjedhur. Këtë herë është ndryshe. Evropa është e para herë që për ne të gjithë të kishim një zgjidhje të lirë dhe zgjodhëm t’i japim gjithçka Evropës. E bëmë, sepse besojmë në këtë hapësirë lirie, paqeje dhe sigurie, ku bëjnë pjesë fëmijët dhe nipërit tanë. Por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit për përkatësinë në rajonin tonë. Një mënyrë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën”, theksoi Rama.

“Evropa, me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i 4 lirive të BE-së, gjithashtu”, shtoi Rama.

“Duke filluar nga sot bisedimet e anëtarësimit nuk e bën ëndrrën tonë realitet, por e bën realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit. Të gjithë e dimë se rruga jonë për të qenë këtu sot nuk ka qenë e lehtë. Vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, mes punës së palodhur, vlerësimeve, pritshmërive, premtimeve të pambajtura dhe rinisjeve të mundimshme. Një histori e rrokullisjes së gurit në një kodër dhe rënies. E përpjekjes për të arritur majën dhe kthyer poshtë herë pas here, si në “Mitin e Sizifit”. Por ne vazhduam të ecnim përsëri dhe përsëri, duke mos e humbur besimin tonë, edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë”, tha Rama./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme