22 Mars, 2025 - 9:45 pm
Dje, më 21 mars 2025, u mbajt Tryeza e Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar, e organizuar nga Fondacioni “Drita”, në Qendrën “Bogdaniolis”, Katedralen e Prishtinës.
Nga Kristijan Ramaj
Ky organizim solli së bashku liderë fetarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe studiues të dialogut ndërfetar për të diskutuar mbi harmoninë fetare në Kosovë dhe rolin e saj në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme. Kjo tryezë bëri të reflektohet mbi vlerën e bashkëjetesës fetare në shoqërinë tonë dhe mbi nevojën për ta mbrojtur e promovuar këtë model unik, i cili qëndron mbi themelet e respektit dhe bashkëpunimit.
Një dialog i vlerave, jo thjesht i tolerancës
Në hapjen e Tryezës, presidenti i Fondacionit “Drita”, Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, theksoi se etnitë dhe besimet e ndryshme në Kosovë janë pasuri dhe vlerë që duhet kultivuar, duke shtuar se paqja nuk është një gjendje statike, por një realitet dinamik që kërkon mirëmbajtje dhe përkujdesje. Këto fjalë më kujtuan se harmonia ndërfetare nuk është diçka që ekziston automatikisht – ajo kërkon punë të vazhdueshme, angazhim dhe mbi të gjitha, vullnet të mirë nga të gjithë. “Në këtë kohë kur bota përballet me sfidat të shumta përçarje, konflikte me tendenca për të rënë dallimet mbi atë që na bashkon, ne sot dërgojmë një mesazh të qartë dialogu është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse. Modeli ynë i unitetit të përbashkët, respekti për të dallueshme është mënyra më e mirë për të motivuar shoqërinë drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Ne jemi dëshmitarë se Kosova dhe populli i saj ka një histori të gjatë të bashkëjetesës dhe respektit mes festimeve të ndryshme dhe etnive të shumta. Kjo është një trashëgimi e çmuar që jo do të duhej të ruhej, por edhe të forcohet gjithnjë e më shumë”, theksoi ai.
Një tjetër moment i rëndësishëm i diskutimit ishte ndërhyrja e Glauk Konjufcës, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili vuri theksin tek mungesa e konflikteve fetare në historinë e shqiptarëve. Ai theksoi se, ndryshe nga pjesë të tjera të Ballkanit, në trojet shqiptare kurrë nuk ka pasur luftëra me bazë fetare, një fakt që dëshmon rrënjët e thella të bashkëjetesës sonë. Ai theksoi një ide shumë domethënëse:
“Ne nuk e tolerojmë njëri-tjetrin, por jetojmë bashkë si vëllezër.” “… Historia jonë e gjatë e një populli të përvuajtshëm tregon se në asnjë moment të historisë sonë nuk mund të gjejmë një konflikt i cili ka bazë fetare në popullin tonë…Modeli shqiptar vërtetë që ekziston […], sepse ky model është i vërtetë dhe është pasuri që e kemi dhe duhet ta shpërndajmë dhe ndajmë me të tjerët”, theksoi ai.
Një shembull për botën: Angazhimi i Kishës dhe i politikës në dialog
Një nga fjalimet më të rëndësishme ishte ai i Delegatit Apostolik të Vatikanit, Jean Marie Speich Jean Marie, i cili shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve politike në një ngjarje të tillë. Ai theksoi se shpesh liderët politikë ngurrojnë të bëhen pjesë e diskutimeve jo-politike apo ekonomike, por në këtë rast ata treguan se e kuptojnë rëndësinë e dialogut ndërfetar për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
“Zgjidhja e lumturisë, bashkëjetesës, harmonisë nuk është vetëm në aspektin politik e ekonomik, por gjithashtu në dialog, në bashkë ekzistencën paqësore në mes të përfaqësuesve të kulturave të ndryshme dhe fetare të cilat ekzistojnë në Ballkan… Selia e Shenjtë promovon dialogun ndërfetar për kohë të gjatë si kishë katolike në kontestin ndërfetar dhe ne mundohemi që të zhvillojmë dialog në shumë mënyra”, theksoi ai.
Rolin që duhet të kenë institucionet shtetërore në ruajtjen e harmonisë fetare. Pavarësisht se feja dhe shteti janë të ndarë, është e pamundur të mohohet se një shoqëri ku komunitetet fetare bashkëjetojnë në paqe është një shoqëri më e fortë dhe më e qëndrueshme.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, solli një qasje tjetër interesante, duke vënë theksin tek roli i qytetarëve të mirëorganizuar në promovimin e paqes dhe bashkëjetesës fetare. Ai përmendi se harmonia ndërfetare nuk është vetëm një çështje shpirtërore, por edhe një faktor i rëndësishëm për zhvillimin social dhe urbanistik të kryeqytetit.
“Në një periudhë kur bota po përballet me sfida të mëdha që kërcënojnë kohezionin shoqëror dhe paqen globale, modeli i harmonisë fetare shqiptare është një shembull i fuqishëm që tregon se si dialogu dhe mirëkuptimi mund të ndërtojnë ura dhe të forcojnë lidhjet mes njerëzve, pavarësisht dallimeve fetare dhe kulturore.” – theksoi ai.
Panelet e diskutimit: të bashkuar në krijimin e bashkëjetesës
Në e parë të diskutimit u shkoqit dialogu në aspekte të ndryshme: ai i Selisë së Shenjtë që vinte nga Digasteri për Dialog ndërfetare, p. Laurent Basanese, i cili tregoi përvojën e Kishës katolike Universale në dialog me fe të ndryshme botërore, dhe Dr. Markus Ingenlath, nga Renovabis, Gjermani, me një paraqitje të thukët për synimet e popujve europian për një shoqëri multireligjioze.
Në anën tjetër, dy shqiptarë: Dr. Besnik Mustafaj e shpalosi një histori të bukur shqiptare të natyralitetit të bashkëjetesë, sepse ky është një edukim shqiptar i cili ka prodhue një respekt ndaj tjetrit që beson ndryshe. Kurse prof.dr. Ardian Ndreca, nga Universiteti Papnor Urbaniana, Romë, u fokusua te uniteti etnik e kulturore në kontekstin multireligjioz te shqiptarët.
Paneli i dytë, interesant dhe i rëndësishëm, ishte ai me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, që ndan përvojat e tyre nga këndvështrimi i bashkësive që i përkasin.
Nënshkrimi i Rezolutës: Një hap simbolik, por i rëndësishëm
Kulmi i ngjarjes ishte nënshkrimi i rezolutës së përbashkët nga liderët fetarë, një dokument që riafirmon angazhimin për promovimin e harmonisë ndërfetare, respektin për diversitetin dhe kontributin për paqe. Ishte një moment që më mbushi me shpresë, pasi dëshmoi se përtej fjalëve, ekziston një vullnet konkret për të ruajtur e forcuar këtë frymë bashkëpunimi.
Firmosja e rezolutës u bë pas panelit të liderëve, paraqitjes së tyre, dialogut dhe bashkëbisedimit me audiencën. Firmosën Kryemyftiu Naim Tërnava, Ipeshkvi Dodë Gjergji, Pastori Artur Krasniqi dhe Dr. Hysen Hyseni nga komuniteti hebre ishte një mesazh i qartë: harmonia ndërfetare në Kosovë është një realitet që duhet ruajtur dhe promovuar.
Mbrëmja u mbyll me një moment domethënës: Darkë-iftar i përbashkët
Ngjarja nuk mund të kishte një përmbyllje më të bukur se darka-iftari i përbashkët i shtruar nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës në hapësirat e Katedrales Shën Nënë Tereza. Organizatorët kishin pasur parasysh se komuniteti mysliman gjendet në ramazan dhe për atë arsye nuk do të ketë drekë të organizuar, por një darkë, kur edhe bashkësia islame do të mund të jetë pjesë e saj, sepse kur njerëzit ndajnë një tryezë së bashku, ata ndajnë më shumë se thjesht ushqim – ata ndajnë respekt, mirëkuptim dhe vlerat e përbashkëta që i bëjnë të ndihen si pjesë e një komuniteti.
Në një botë ku shpesh shohim ndasi dhe konflikte të nxitura nga dallimet fetare, është e rëndësishme të kujtojmë se për shqiptarët, feja ka qenë gjithmonë një urë, jo një mur. Ky model i bashkëjetesës është një thesar që duhet ruajtur, kultivuar dhe promovuar në skenën ndërkombëtare.
Kjo Tryezë na bëri të kuptojmë se harmonia ndërfetare nuk është vetëm një pjesë e identitetit tonë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët për ta mbrojtur dhe për ta çuar përpara.
Fotografia në ballinë: Arben Llapashtica/ drita.info/ KultPlus.com