22 Dhjetor, 2021 - 5:32 pm
Sot është mbajtur takimi i radhës i Komisionit Shtetëror për Rini, një mekanizëm ndër-institucional i Qeverisë së Kosovës për vendimarrje për rininë.
Përfaqësuesit e ministrive pjesmarrëse diskutuan për prezantimin e arritjeve dhe sfidave në sektorin e rinisë, për inicimin e procesit të hartimit të Strategjisë Nacionale për Rini, për progresin e procesit për zhvillimin e skemës së garantimit të të rinjve dhe u diskutua për detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të Grupit Këshilldhënës dhe Koordinues.
Në këtë takim morën pjesë Daulina Osmani, zëvendësministre në MKRS, Agon Batusha, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Grupit jo-formal të Deputetëve të Rinj të Kuvendit, Edona Maloku-Bërdyna, zëvendësministre në MASHTI, Resul Makreshi, zëvendësministër në MFPT, Liza Gashi, zëvendësministre në MPJD, Arsim Berisha, zëvendësministër në MSH, përfaqësuesit nga OSBE, strukturat dhe mekanizmat rinorë, dhe nga shoqëria civile.
Zëvendësministrja Daulina Osmani prezantoi arritjet dhe sfidat që e presin MKRS-në në raport me sektorin e rinisë.
Ajo tha se në kuadër të investimeve kapitale, është kryer rinovimi i Qendrës Rinore në Kamenicë dhe tri qendra janë në proces, në Gjakovë, Deçan dhe Ferizaj. Gjithashtu tregoi se MKRS-ja ka investuar 170 mijë euro në qendrën në Pjetërshan të Gjakovës dhe projekti pritet të përfundojë në fund të janarit 2022.
Në lidhje me dokumentet strategjike, zëvendësministrja tregoi se gjatë vitit 2022 do të hartohet koncept dokumenti për rininë që do t’i paraprijë ligjit për rininë dhe strategjisë kombëtare për rini.
Ndërsa përmendi po ashtu edhe përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si programin Balkan Youth Lab, bashkëpunimin në RYCO dhe veçoi implementimin e ‘Dialogut Kombëtar për Rini 2021’ i cili ka qenë një proces në të cilin janë përfshirë të rinjtë e nivelit qendror dhe lokal në vendimmarrje dhe raporti final do të publikohet në fund të këtij muaji.
Edhe përfaqësuesit e ministrive tjera prezantuan të arriturat dhe sfidat që institucionet respektive kanë ose pritet të realizojnë. /KultPlus.com