21 Janar, 2022 - 7:00 pm
Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sportit në Republikën e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe akterët tjerë institucional e sportivë, po organizon sot dhe nesër “Tryezën e Sportit”, i cili është një takim diskutimi ku po marrin pjesë niveli më i lartë i komunitetit të sportit në vendin tonë dhe po mbahet në Brezovicë.
Konkretisht, synohet që bashkërisht të gjithë akterët e sportit të krijojnë një platformë të përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe zhvillimi i mëtejmë në sportin e Kosovës. Në ditën e parë të tryezës u diskutua mbi gjendjen ekzistuese të sportit në Kosovë dhe për programin e qeverisë.
Në këtë tryezë të parë, morën pjesë Ministri Hajrulla Çeku, Ismet Krasniqi, Kryetar i KOK-ut, Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Musa Selimi, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Prishtinës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sport, drejtuesit e përfaqësuesit e federatave sportive, përfaqësuesit e nivelit lokal në Kosovë, të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive tjera negative në Sport si dhe përfaqësuesit e vet sportistëve.
Në hapje të tryezës, Ministri Çeku, tha se ky është takimi i parë i përbashkët që po mbahet në këtë format përfaqësimi të gjithë akterëve të përfshirë në sport, si një pikënisje për të diskutuar për gjendjen aktuale në këtë fushë, ndërsa shtoi që këto diskutime do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.
Tutje, ministri theksoi se kjo tryezë e diskutimit është fillimi i krijimit të një platforme zyrtare dhe profesionale të diskutimeve tona të përbashkëta. Ky lloj i tryezës do të zhvillohet minimalisht dy herë gjatë vitit.
Ministri paralajmëroi se ndër temat që do të diskutohen në këtë tryezë dyditëshe janë: Gjendja ekzistuese në sport, Politikat e zhvillimit të sportit; Plani Operacional Strategjik i Qeverisë për fushën e sportit, si dhe një projektin e ri “Baza e të dhënave të sportit në Kosovë” si një nismë e re që do të na ndihmojë shumë për zhvillimin e sportit. Po ashtu, ju ftojmë që të diskutojmë për dy shtyllat themelore të orientimin tonë qeveritar për sportin: Sporti për të gjithë dhe Sporti elitar, që ka të bëjë me rezultatet e sportit tonë në arenën ndërkombëtare; Parandalimi i Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport; dhe Infrastruktura Sportive.
Nga këto tema, të nxirren konluza dhe rekomandime që të jenë një orientim për një mobilizim të gjithëmbarshëm të gjithë akterëve të sportit, tha ministri. Çfarëdo strategjie që do të ndërtojmë për sportin, mos të shihet si një strategji e ministrisë për sportin por një strategji e sportit e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se për dy ditë radhazi do të kemi mundësinë që bashkërisht të diskutojmë për sfidat me të cilat përballet sporti ynë.
“Këto ditë, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka përfunduar procesin e vështirë dhe të mundimshëm të kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2022, ku sipas statistikave të nxjerra, del se gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rreth 50 mijë sportistë aktivë, që i bie se vetëm rreth 3 për qind e popullsisë tonë merret me sport”, ka thënë kryetari Krasniqi, duke shtuar se ne duhet të punojmë që këtë përqindje ta rrisim.
Ndërsa në fjalën e tij, dekani Musa Selimi, tha se tryeza e këtillë është shumë e mirëpritur sepse po ndodh për herë të parë ku mblidhen të gjithë akterët e sportit për të diskutuar për këtë fushë.
“Duhet ta rrisim fondin e numrit të orëve të edukatës fizike në shkolla sepse me vetëm dy orë në javë, ne jemi të vetmit në Ballkan dhe Bashkimin Evropian që kemi kaq pak orë”, ka thënë mes tjerash Selimi.
Zëvendësministrja Daulina Osmani, prezantoi planin strategjik dhe operacional të Qeverisë së Kosovës për sektorin e sportit, i cili është hartuar mbi të gjeturat e raportit hulumtues që ka realizuar Departamenti i Sportit i MKRS-së, por që me kontributin e këtyre dy ditëve ky draft do të pasurohet edhe me idetë dhe kontributet e pjesëmarrësve të tryezës.
Klodeta Krasniqi, Shefe e Kabinetit të ministrit, prezantoi të gjeturat për gjendjen momentale në sportin e Kosovës, ku përfshihet infrastruktura momentale ligjore, forma e mbështetjes së aktiviteteve sportive, investimet në infrastrukturën fizike të sportit dhe menaxhimi i infrastrukturës sportive në Kosovë.
Ndërsa Masar Gjaka prezantoi projektin e Bazës së të Dhënave për sportin në Kosovë.
Tryeza do të vazhdojë punimet edhe nesër. / KultPlus.com