Mbahet tubim solidarizues për popullin ukrainas në Prishtinë, Osmani: Liria dhe demokracia do të triumfojnë

7 Mars, 2022 - 12:48 pm

Institucionet kosovare dhe organizatat joqeveritare kanë organizuar sot një aktivitet në qendër të Prishtinës në solidarizim me popullin ukrainas, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjithashtu, në këtë protestë ka qenë e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila para mediave tha se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës e rikthen Kosovën në kohë.

“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës diktatori Putin”.

Sa i përket Kosovës dhe mbështetjes së saj për Ukrainën, e parja e shtetit thotë se institucionet kanë treguar gatishmëri me aq kapacitete që i kanë.

“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina ti shfrytëzojmë… Kosova ka treguar gatishmëri që t’i jep mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë e raportimit këtu nga një vend u sigurte, pra nga republika e Kosovës”.

Ukraina është duke kaluar nëpër momente shumë të vështira pas pushtimit nga Rusia, e ndërkohë janë duke u zhvilluar disa takime mes palëve për të gjetur një marrëveshje. /KultPlus.com

Të ngjajshme