26 Dhjetor, 2023 - 11:47 am
10 011 500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmjen e 25 dhjetorit.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ndërsa u shpreh se kjo është një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë.
“Lajm i bukur. Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10 000 000 i turistëve të huaj në Shqipëri; një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë. Gëzuar”, shkruan kryeministri.
Nga janari deri në 30 nëntor Shqipërinë e vizituan 9.53 milionë turistë të huaj. Krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2022, është shënuar një rritje me 33 %.
Vetëm muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53 %) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë, çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor. / atsh / KultPlus.com