15 Gusht, 2022 - 12:30 pm
Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Shifrat i publikoi sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale shkrimin e medies gjermane “Die Zeit”, e cila promovon turizmin në Shqipëri.
“Mediet gjermane vijojnë traditën e mirë të promovimit të Shqipërisë, ku këtë herë gjiganti “Die Zeit” i kushton një artikull rivierës shqiptare, florës e faunës”, shkruan Rama.
Më herët, mediet britanike, franceze dhe ato spanjolle kanë promovuar turizmin në Shqipëri, duke vlerësuar përveç natyrës edhe kulinarinë dhe traditat shqiptare.
Sipas statistikave zyrtare, nga muaji janar deri në korrik Shqipërinë e vizituan 38,915 turistë francezë, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.
Po ashtu për të njëjtën periudhë u regjistruan 18 820 turistë spanjollë, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.
Ndërkohë, 90 mijë vizitorë nga Britania e Madhe kanë vizituar Shqipërinë në këto shtatë muaj./ atsh / KultPlus.com