27 Gusht, 2021 - 10:33 pm
Më shumë se 5,000 qytetarë amerikanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga Afganistani, ka bërë të ditur të premten, gjenerali amerikan William Taylor.
Data 31 gusht është afati i fundit për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani.
Sipas Taylor në total numri i njerëzve të cilët janë evakuuar nga Afganistani deri më tani si pjesë e misionit të evakuimit, është 111,000.
Ai ka thënë se edhe 5,400 persona janë ende duke pritur në aeroportin e Kabulit për të ikur nga Afganistani.
Gjatë të enjtes janë kryer dy sulme me bombë dhe armë zjarri jashtë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur të paktën 100 persona.
Në mesin e të vrarëve raportohet se janë rreth 90 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi Shteti Islamik.
Pentagoni ndërkohë ka deklaruar se sulmet e IS-is nuk do ta ndalin SHBA-në që të kryejë evakuime deri në ditën e fundit kur duhet të largohen. / KultPlus.com