2 Shkurt, 2025 - 2:52 pm
Puka është kthyer në një atraksion turistik gjithëvjetor, për shkak të bukurive natyrore, historisë dhe gastronomisë së pasur. Një destinacion i preferuar për të huajt, por edhe vendasit, Puka tërheq gjatë dimrit më shumë vizitorë për shkak të borës dhe terrenit malor, por sidomos edhe për faktin se së fundmi në Pukë është instaluar edhe zip-line më i madh në Ballkan me gjatësi 1.200 metra, lartësi 20 metra dhe shpejtësi që arrin 80–100 km në orë.
Në një intervistë me nënkryetarin e bashkisë Pukë, Ferid Ringaj, ai shprehet se gjatë vitit 2024 ka pasur rreth 17,000 turistë, nga të cilët 2,800 turistë të huaj, nga Evropa, Azia dhe vendet arabe që e kanë vizituar këtë qytet.
“Situata me turizmin është përmirësuar ndjeshëm, kjo falë investimeve në këtë fushë nga operatorë të ndryshëm vendas, si dhe objekte të tjera atraktive natyrore dhe historike që Puka ofron. Puka ofron një turizëm gjithëvjetor, pasi në të gjitha stinët, natyra e bukur dhe tërheqëse, ajri i pastër dhe mundësitë për të eksploruar natyrën e veçantë, zonat historike, muzeun etno-kulturor, shpellat me histori interesante, majat e maleve dhe shtigjet e markuara me destinacione të ndryshme, pa harruar mikpritjen dhe bujarinë që karakterizon banorët e kësaj zone”, thotë Ringaj.
Nënkryetari i bashkisë Pukë thekson se viti që u mbyll ka qenë një nga më të mirët në aspektin e shifrave të turistëve që shijuan Pukën, ndërsa pritshmëritë janë edhe më të larta gjatë 2025, pavarësisht faktit se jemi akoma në muajin e parë të vitit.
“Vitin 2024 mund ta konsideroj të suksesshëm sa i përket numrit të vizitorëve. Nga informacionet e dhe kontaktet me operatorët turistikë të zonës ka një rritje të konsiderueshme të turistëve e kjo në sajë të aktiviteteve të shumta të zhvilluara në qytetin e Pukës dhe në njësitë e saj vendore me karakter promovues të produkteve bujqësore të zonës, aktivitete kulturore, Festivali Mbarëkombëtar i Instrumentistëve të vegjël, Dita e Kulturës Pukjane, Sofra Pukjane, Panairi “Puka Agro-Fest”, etj. Tashmë, të kthyera në traditë disavjeçare e shumë aktivitete të tjera që kanë sjellë shumë vizitorë vendas dhe të huaj dhe shifra varion 15,000-17,000 vizitorë”, thekson ai.
Krahas pjesëmarrjes në aktivitete gjithëvjetore, pikat më të frekuentuara të Pukës janë Liqeni i Komanit, Maja e Murgës, Shpellat historike, Mali i Munellës që është zonë e mbrojtur për arsye të ekzistencës së rrëqebullit, zona të tjera malore përmes shtigjeve të markuara. Duke qenë se Puka është edhe një pikë kalimi për të shkuar edhe në Valbonë, ka edhe pjesë të tjera turistike rrugës panoramike të Liqenit të Fierzës etj.
Sipas nënkryetarit të kësaj bashkie, referuar edhe shifrave të prenotimeve me operatorët turistike për 2025-ën, pritet të ketë një rritje me 15-20% të numrit të turistëve.
“Nga komunikimi me operatorët turistikë, me të cilët bashkia është në kontakt të vazhdueshëm, pritet që këtë vit të kemi një dyfishim të turistëve, nga të huajt presim rreth 15-20 % më shumë gjatë këtij viti”, pohon Ringaj.
Sipas tij, bashkia Pukë ka një mori projektesh të parashikuara për këtë vit në Pukë dhe që fokusohen nga infrastruktura te ndërtimi i hoteleve të reja, investimet në bujtina, etj.
“Bashkia Pukë ka krijuar një mjedis shumë miqësor për të gjithë të interesuarit për të investuar në fushën e turizmit. Sapo kemi inauguruar zip-line Puka, më i madhi në Ballkan me një gjatësi 1200 metra dhe një hapësirë magjepsëse natyrore, ku falë këtij investimi do kemi numër të lartë turistësh për të shijuar këtë adrenalinë fantastike. Kemi interesim të shtuar nga investitorë, bijë pukjanë nga emigrimi që kanë shprehur interesin për të investuar në vendlindje dhe bashkia Pukë me Këshillin Bashkiak kanë marrë vendime për zona zhvillimore ku së shpejti do fillojnë investimet”, pohon Ringaj.
Nënkryetari i kësaj bashkie thotë se këtë vit në Qafën e Qerretit do të ndërtohet një resort me gamë të gjerë shërbimesh bashkëkohore me kushte moderne. “Nga pikëpamja infrastrukturore, bashkia do vijojë me investime në fasadat e qytetit, përmirësimin dhe asfaltimin e hyrjes së qytetit. Së shpejti, javën e parë të shkurtit do të prezantohet projekti i lidhjes së dy liqeneve, që është vepra më e madhe që do të realizojmë, krahas investimeve në fushën e mirëmbajtjes pastër të ambienteve, rrugëve dhe shtigjeve malore duke zgjeruar edhe hartën e tyre”, përfundon Ringaj./atsh/ KultPlus.com