8 Shtator, 2022 - 10:10 am
Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.
“Nga janari deri në fund të gushtit Muzeu Historik Kombëtar është vizituar nga 30 983 vizitorë, nga të cilët 15 198 të huaj dhe 6342 vendas”, bëri të ditur Muzeu Historik Kombëtar në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Muzeut Historik Kombëtar, gjatë muajit gusht muzeu është vizituar nga 9 101 vizitorë, nga të cilët 5153 të huaj dhe 2302 vendas.
Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë këtij viti në muze janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./atsh /KultPlus.com