Mbi 4500 vizitorë në Qendrën Muzeore Krujë në janar, kryesojnë turistët nga Kina

3 Shkurt, 2025 - 4:20 pm

Muaji janar i këtij viti shënoi një rritje prej më shumë se 28% të vizitorëve në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “gjatë janarit, 3994 vizitorë vizituan Muzeun ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ në Krujë”.

“Në total numri i vizitorëve në Qendrën Muzeore Krujë (Muzeu ‘Gjergj Kastrioti’ dhe Muzeu Etnografik Krujë) arriti në shifrën 4519 vizitorë”, tha Hafizi.

Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj gjatë muajit janar 2025 e përbëjnë vizitorët nga Kina.

Një turiste nga Kina shprehet se “ne vijmë nga Kina dhe jemi 20 turistë. Qëndruam në Shqipëri dy ditë, ditën e parë vizituam kalanë e Rozafës dhe sheshin ‘Skënderbej’. Sot po vizitojmë këtë kala në Krujë. Jemi shumë të mahnitur me pamjen, kalanë, me gjithçka, dhe veçanërisht me historinë. Historia ishte shumë frymëzuese, inkurajuar nga Skënderbeu, i cili mori shumë fitore. Është një vend shumë i bukur për t’u vizituar”.

Kalaja e Krujës e ndërtuar në shekujt V-VI, së bashku me Muzeun Kombëtar që ndodhet brenda saj, përfaqëson një nga monumentet arkitekturore më të çmuara në Shqipëri.

Muzeu përkujton jetën dhe luftërat e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ndërsa  Pazari karakteristik i Krujës është ndër më të njohurit në vend, me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme