12 Mars, 2024 - 9:26 pm
550 mijë konsumatorë do të kompensohen për energjinë elektrike që kanë paguar për veriun e Kosovës që nga viti 2012 deri më 2017.
Kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e cila obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që t’i kompensojë qytetarët e faturuar padrejtësisht, në vlerë prej 40.8 milionë eurove.
Sipas KEDS-it, gjatë vitit 2012 numri i njehsorëve ishte mesatarisht 400,000, në vitin 2013 – 430 mijë, në vitin 2014 – 460 mijë, në vitin 2015 – 490 mijë, në vitin 2016 – 520 mijë, në vitin 2017 – 550 mijë.
Vendimin e gjykatës e kanë mirëpritur edhe qytetarët, të cilët thanë se padrejtësisht janë faturuar për veriun me vite të tëra.
Megjithëse, i mbetet ZRRE-së që të vendosë për mënyrën se si do ta bëjë kompensimin, kryetari i këtij institucioni, Ymer Fejzullahu, thotë se rregullatori e ka pranuar aktgjykimin dhe brenda një afati të shkurtër kohor do të dalë me qëndrime për opinionin.
Njohës të Kushtetutës thonë se ZRRE ka dy zgjidhje për mënyrën e kompensimit.
“Procedura e kompensimit të tyre mbetet në vullnet të ZRRE-së nëse do të fillohet procedurë e kompensimit vullnetar apo të detyrimit që qytetarët të bëjnë padi, për shkak të pasurimit të pabazë. Qytetarët në rast se nuk do të kompensohen në mënyrë sistematike ose automatike, qoftë përmes një plani më afatgjatë, do të mund të vijnë deri te një padi”, ka deklaruar Florim Shefqeti, njohës i Kushtetutës.
Nga janari qytetarët që jetojnë në komunat veriore, kanë nisur të faturohen për energjinë e shpenzuar, e cila për 25 vjet është mbuluar nga pjesa tjetër konsumatorëve./rtk/KultPlus.com