28 Maj, 2021 - 10:09 am
Në vitin 2007, një familje filmoi një skenë të pafajshme midis vëllezërve, pa dyshuar se videoja do të bëhej një nga më të shikuarat në internet dhe se 14 vjet më vonë, koleksionistët e NFT-së do ta rrëmbenin atë për gati 761 000 dollarë.
Videoja me titull “Charlie Bit My Finger” (“Çarli më kafshoi gishtin!”), e shikuar 883 milionë herë në Youtube, u shit nga familja Davies-Carr gjatë një ankandi për tregun NFT.
Në videon 55-sekondëshe, një djalë i vogël britanik me emrin Harry mund të shihet duke mbajtur vëllanë e tij foshnjë, Çarlin.
Skena kthehet në një dramë kur i pari vendos gishtin tregues në gojën e foshnjës dhe për habinë e tij, Çarli papritur mbyll nofullën e tij.
Edhe pse kjo kryevepër e internetit e viteve 2000 është një nga videot më të njohura në historinë e Youtube, ajo së shpejti do të hiqet nga platforma.
Davies-Carrs njoftuan se do ta hiqnin pas shitjes, duke deklaruar se fituesi i ankandit do të bëhej “pronari i vetëm i kësaj pjese të adhurueshme të historisë së internetit”, megjithëse videoja, natyrisht, është kopjuar, shpërndarë dhe ribotuar shumë herë në internet gjatë viteve./ atsh / KultPlus.com