23 Maj, 2020 - 12:30 pm
Shkruan: Sead Zimeri
Mbi lumturinë
Lumturia formohet në paradoks. Paradoksi i saj është që nuk mund të bëhesh i lumtur nëse lumturinë e bën qëllim, apo cak për ta arritur.
Një konceptim i tillë tregon për një keqkuptim për lumturinë, sepse përmban një koncept absurd që e lidhë lumturinë vetëm me atë që e bën qëllim të arritjes. Këtu lumturia kuptohet si ndonjë arritje e ndonjë angazhimi personal për t’u bërë i lumtur. Lumturia kuptohet në analogji me profesionet tjera. Për shembull, vetëm ai që edukohet është i edukuar, vetëm ai që studjon të bëhet mjek bëhet mjek, etj. Të tjerët që nuk kanë studiuar mjekësinë nuk bëhen mjekë. Kur punohet për një qëllim të caktuar zakonisht qëllimi arrihet. I lumtur pra mund të bëhet vetëm ai që punon të bëhet i lumtur, ai apo ajo që kërkon lumturinë.
Por ndërkohë edhe ata që kërkojnë atë edhe ata që nuk kërkojnë atë nuk janë të lumtur. Sikur që studenti i mjekësisë nuk është mjek edhe studenti i lumturisë nuk është i lumtur; sa më afër qëllimit aq më i lumtur. Lumturia pra është përherë diku tjetër: ku ne jemi ajo nuk është; ku ajo është ne nuk jemi. Dallimi është që disa do të bëhen të lumtur e disa të tjerë do të vazhdojnë të jetojnë pa lumturi.
E kupton pra që kjo qasje është absurde, sepse lumturia nuk mund të konceptualizohet në analogji me arritjet dhe profesionet tjera. Ajo nuk është as koncept moral: për shembull ne e kemi obligim që vazhdimisht ta përmirësojmë veten, por kjo nuk nënkupton që përmirësimi i vazhdueshëm do të na bëjë njerëz të përkryer; përkryerja nuk është qëllim që duhet të arrihet por është vetëm ide rregulluese. Ne angazhohemi që të bëhemi njerëz më të mirë, por nuk mund të angazhohesh që të bëhemi njerëz më të lumtur.
Nuk ekziston as teknikë, as metodologji, as shkollë dhe as zanat që ta mundëson arritjen e lumturisë, pikërisht sepse lumturia nuk është diçka që mund të arrihet. Askush nuk të jep diplomë për lumturi.
Por edhe nuk kemi të drejtë t’i këshillojmë të tjerët që të bëhen të lumtur, pikërisht sepse një këshillë e tillë ngre spektrin dhe nënkupton konceptimin paraprak absurd të lumturisë. Pra “be happy” është këshilla më idiotike që mund të ta japë apo t’ia japësh dikujt.
Nëse dëshiron ta ndihmosh dikë të bëhet i lumtur duhet ta ndihmosh që ajo të gjejë atë “profesion”, atë zanat, apo atë prirje dhe pasion për jetë që e bën atë të HAPUR ndaj lumturisë.
Lumturia është përherë efekt anësor që vjen si rezultat i angazhimit tonë në aktivitete tjera ku lumturia nuk është qëllim. Lumturia është shpërblim që marrim për atë që jemi, për gjetjen e vetes në një mes të pafundmë të vetjeve tjera.
Gjetja e vetes është proces i gjatë por zakonisht bëhet në punë, në angazhim për të i ndihmuar të tjerëve: kjo ndihmë nuk është vetëm materiale, por edhe shpirtërore: një fjalë e bukur, një buzëqeshje, një puthje a përkëdhelje.
Jo rastësisht shumica e filozofëve kanë bërë lidhje direkte mes lumturisë dhe veprës së mirë, sepse vepra e mirë shkakton një kënaqësi dhe përmbushje që nuk ekziston në mungesë të saj.
Dikush (psikopati) mbase mund të ndjehet i kënaqur edhe kur bën vepra të liga, por është e pamundur të konceptualizohet që lumturia mund të rezultojë duke i bërë të gjithë të tjerët përreth teje më pak të lumtur, apo aspak të lumtur. Prandaj, sidomos për Aristotelin, lumturia nuk mund të ndahet nga morali. Njeriu konsistent i pamoralshëm nuk mund të jetë njeri i lumtur.
Lumturia është shënjuesi që jeta yte ka një kuptim për ty, që ke gjetur një mënyrë për të ekzistuar në botë që të jep kënaqësi dhe të bën të ndjehesh komod në lëkurën tënde.
Pasi që lumturia ka të bëjë me punën dhe mënyrën e jetës tënde, nëse megjithatë nuk je i lumtur atëherë arsyen duhet ta kërkosh jo tek tjetrit por tek vetja: çka je duke bërë që të privon nga lumturia? Të lumtur nuk të bën askush tjetër pos vetes tënde: lumturia varet nga mënyra se si ti ekziston në botë, si i shfrytëzon aftësitë dhe mundësitë tua, dhe sa e ruan ambientin ku ekziston! / KultPlus.com