22 Nëntor, 2023 - 11:22 pm
‘Mbrëmja artistike me V’ e cila u mbajt në Bibliotekën Kombëtare nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Artpolis me aktivisten amerikane Eve Ensler, e njohur me emrin artistik “V”, solli shumë informacione dhe përvoja të saj, ndaj kauzave aktiviste, feministe, e ndryshimeve shoqërore, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje, e cila pati të pranishëm nga arti, kultura, dhe politika, u hap nga interpretimi artistik “Manifesta për çikat dhe gratë e reja” i artistes Zhaneta Xhemajli, e cila trajtonte se çka duhej dhe nuk duhej bërë gratë. Pati fraza të cilat u mësohen atyre nga mentaliteti patriarkal për t’u kthyer në mesazhet të cilat bënin thirrje për të marrë në duar përgjegjësinë për jetën e tyre.
“Gjeje një burrë, kërko mbështetje, bota është e frikshme, mos dil, çikat nuk janë të mira në marrjen e vendimeve të vështira, pilotimin e aeroplanëve, ndjeke turmën, bindju ligjeve, merre një burrë të pasur/…. Gjithmonë lufto, kërko, mbroju, thuaj atë që do, thuaj atë që e mendon, lëviz vetëm me shpejtësinë tënde”, thuhej nga monologu i cili pati shprehje nga dy kënde të ndryshme.
Më pas, Drejtoresha Ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha e cila ishte moderuese e mbrëmjes tha që “V”, është një dramaturge, aktore, interpretuese, feministe dhe aktiviste amerikane, e cila me veprat e saj artistike ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me libra të botuar në mbi 48 gjuhë, në mbi 140 vende të ndryshme.
“Ajo është një bashkëthemeluese e ‘City of Joy’, një qendër transformuese për gratë e mbijetuara të dhunës në Republikën Demokratike të Kongos dhe u shfaq në mënyrë të dukshme në filmin dokumentar të vlerësuar me çmime ‘City of Joy’, i disponueshëm në Netflix. Trupi i larmishëm i veprës së saj teatrale përfshin “Lemonade”, “Extraordinary Measures”, “Necessary Targets”, O.P.C, “The Good Body”, “Emotioal Creature and Fruit Trilogy”, bëri të ditur Hoxha.
Ajo më pas tha që “V” bën pjesë në listën e 100 grave më me ndikim në botë duke treguar edhe çmimet e shumta me të cilët është shpërblyer puna e saj.
“E njohur si një nga “150 Gratë që Ndryshuan Botën” e Newsweek dhe “100 Gratë më me ndikim” të The Guardian, “V” ka marrë çmime prestigjioze, duke përfshirë çmimin “Isabelle Stevenson Tony”, “Obie”, një bursë “Guggenheim” në shkrimin e dramave, “Glamour’s Woman of the Year”. Çmimin “Lucielle Lortel Lifetime Achievement”, dhe Çmimin “Lilly”, së bashku me diploma të shumta nderi. Përderisa shkrimi i saj me ndikim shfaqet rregullisht në Guardian”, tregoi Hoxha më tej.
Ndërsa vetë protagonistja “V” gjatë mbrëmjes trajtoi tema feministe nga kënde të ndryshme, ku edhe tregoi një rast personal ku goditja nga babai i saj, u bë shkas që ajo filloi të merrej me qështje të tilla.
Temat për të cilat u diskutua në këtë mbrëmje nga “V” ishte përvoja që kishte marrë nga gratë e mbijetuara të dhunës në Kongo, lufta për të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e grave të cilat i kishte përfshirë në monologun “The Vagina”, rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm, i cili ndër të tjera eviton rrezikun e koncerit, si dhe rëndësinë e kërkimfaljes në eksplorimin e traumës dhe shërimit.
“Ëndrra është gjallë…Ne kemi fuqinë të rimarrim botën. Do të vazhdojmë derisa t’i japim fund dhunës”, ishte thënie motivuese nga “V” për të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë mbrëmje, e cila i jepte zë kauzës së tyre të përbashkët.
Ajo gjithashtu u shpreh e lumtur që po ndodhej në Kosovë, përsëri pas 22 vitesh, nga ku edhe po vërente ndryshime të mëdha, nga koha kur kishte qenë për herë të fundit.
Më tej, një pjesë e mbrëmjes u sigurua edhe për diskutime, të cilat u realizuan me publikun, mbi këto qështje.
Ndërsa, me një monolog që erdh si thirrje ndaj ‘trupit’ për ta ndier, shëruar, pranuar dhe dashuruar ashtu siç është, Donikë Ahmeti e interpretoi “Të thërras trup” të shkruar nga “V” si dedikim ndaj të gjitha grave në mbarë botën.
“Trupa që kërcejnë për sigurinë, për lirinë, kërcejnë sexy dhe joshëse , kërcejnë për dinjitet dhe për integritet, kërcejnë për trupin e vet, për të njohur trupin e vet. Unë të thërras trup tempulli im, fortunë, ngazëllehuni me gjakderdhjen vallëzoni në këtë ëndërr, vallëzoni deri sa të shëroheni, lakuriq, vallëzoni derisa të shihni derisa të ktheheni në fillim…”, ishte pjesa që e përmbylli natën e mbrëmshme artistike me “V”./KultPlus.com