25 Tetor, 2024 - 2:15 pm
Festimet për Ditën e OKB-së u zhvilluan mbremjen e djeshme tek Piramida, duke filluar me një pritje ekskluzive që mblodhi së bashku përfaqësues nga OKB Shqipëri, qeveritarë, trupi diplomatik, OJF-të, partnerët e biznesit dhe shumë të tjerë.
Në këtë aktivitet foli koordinatorja e përhershme e OKB-së, Fiona McCluney, zëvendësministrja për Evropën dhe Çështjet e Jashtme, Megi Fiono dhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa.
E moderuar nga delegatët rinorë të Shqipërisë në OKB, ngjarja theksoi rolin e rëndësishëm të rinisë në formësimin e të ardhmes dhe u fokusua në Paktin për të Ardhmen, i miratuar së fundmi në OKB. Ky pakt pasqyron angazhimin kolektiv të kombeve të botës për të përballuar sfidat globale dhe për të reformuar sistemet shumëpalëshe për të përmbushur kërkesat e shekullit të 21-të.
Më pas mbrëmja vijoi me një performancë artistike “Sounds of Unity” (Tinguj që Bashkojnë) të hapur për publikun, me muzikë ndërkombëtare dhe shqiptare, duke rrezatuar shpirtin përfshirës të këtij festimi./atsh/ KultPlus.com