26 Prill, 2023 - 12:50 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi mbrëmjen e djeshme një takim përkujtimor me miq, familjarë e adhurues të veprës së Robert Shvarcit. Me pijen e tij të preferuar, Kalvados, si dhe fotografitë e Roland Tashos, të pranishmit udhëtuan në kohë, duke u ndjerë pranë Robert Shvarc, njeriut që i dha aq shumë kulturës shqiptare.
Shqipëruesi i kryeveprave të letërsisë botërore, u kujtua në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku mes personalitetesh të artit e kulturës, gjendej dhe i biri, Edvin Shvarc.
QKLL sjell në nder të Robert Shvarc një pasazh nga kujtimet e tij: “Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar”./atsh/ KultPlus.com