25 Tetor, 2021 - 12:08 pm
Fundjavat kulturore vazhdojnë të gjallërojnë qytetin e Gjirokastrës. Në kuadër të Muajit të Letërsisë dhe Arteve, teatri “Zihni Sako” ka shfaqur mbrëmjen poetike “…Midis…”, me pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria letrare e shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli.
Ky aktivitet përkonte dhe me 90-vjetorin e lindjes së tij. Interpretimi i aktorit Kudret Alikaj, miqve të poezisë dhe teatrit, Lindita Rovës dhe këngëtares Inis Neziri u shoqërua më duartrokitje nga artdashësit që ndoqën me interes të dyja netët e këtij aktiviteti.
Për aktorin dhe regjisorin Kudret Alikaj, kjo mbrëmje poetike përcolli mes emocionesh krijimet letrare më të spikatura të poetit dhe shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.
“Dëshiroj të falenderoj dhe aktorët amatorë, të cilët u bënë pjesë e kësaj shfaqje si dhe publikun që na mbështeti duke vlerësuar këtë aktivitet”, u shpreh Alikaj.
Përgjatë muajit tetor, Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me shkollat ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë patur në qendër librin dhe artet./atsh/KultPlus.com