21 Gusht, 2019 - 10:30 am
Nga Aurenc Bebja
“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë.
Tiranë, 26 Prill.
Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.
Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.
Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.
Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet :
“— Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…
Puna ime e re si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë : dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore : më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri ; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez.” — Aigner