1 Mars, 2020 - 7:00 pm
Dashamirët e artit u lanë në radhë para muzeut të Louvret në Paris të dielën në mëngjes, pasi stafi vendosi të mbajë një takim lidhur me shpërthimin e koronavirusit, njofton Reuters.
Turistë të shumtë para muzeut më të vizituar në botë, ku qëndrojnë disa prej veprave të artistëve më të mëdhenj, nisën të shprehin mllefin me këtë mbyllje të Louvret.
Një zëdhënëse e muzeut në qendër të Parisit tha se ai pritej të hapej pas takimit mes menaxhmentit, personelit dhe mjekut të personelit.
Ajo shtoi se muzetë nuk janë të prekur nga urdhri i Qeverisë së Francës, që ndalon tubimet publike në hapësira të mbyllura me më shumë se 5.000 njerëz.
Deri më tash, në Francë janë konfirmuar mbi 100 raste të personave të prekur me koronavirus.
Si rezultat i urdhrit të Qeverisë franceze, është anuluar edhe një gjysmëmaratonë e planifikuar të mbahej sot në Paris, e ku mendohej se do të merrnin pjesë më shumë se 40.000 vrapues. /KultPlus.com