18 Maj, 2020 - 8:40 pm
Ka zgjatur pak më shumë se 2 orë protesta e thirrur në Tiranë nga “Aleanca për mbrojtjen e Teatrit”.
Por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëroi një tjetër protestë, të mërkurën në orën 17:30.
Në mbyllje të tubimit të kësaj të hënë, Robert Budina, njoftoi se protestat do të vazhdojnë.
“Ata që deshën ti bënin varrin teatrit kombëtar do të kenë varrin politik në këtë teatër”, tha Budina.
Edmond Budina: Teatri rron, Teatri nuk vdes. Shqipëria nuk e ul kokën. Shqipëria nuk e duron dot diktaturën. Ne jemi këtu për të treguar këtë që në Shqipëri nuk do vendosët më kurrë diktatura. E kuptoni sesa e tmerrshme është kjo që ndodhi. Në 17 maj të 1945 u themelua teatri profesionist dhe në 17 maj, mafia në bashkëpunim me pushtetin e shembën teatrin, kriminelët!
E kuptoni si punojnë. Edhe me simbolikat, për të na ulur kokën. Ne do rrimë edhe 200 vjet për të mbrojtur teatrin dhe kulturën tonë.
Nuk është e thjeshtë dhe të gjithë njerëzit që kanë protestuar do ngelen përherë njerëz të nderuar dhe jo si ata që duan ti bëjnë varrin kulturës. Ata që deshin ti bënin varrin teatrit kombëtar, ata do të kenë varrin e tyre politik në këtë teatër. Varri i tyre do të jetë këtu.
Budina bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ndasive politike.
Edmond Budina: Këtu na kanë futur edhe sabotatorë, ndaj duhet të jemi të bashkuar. Këtu me ne janë të gjithë qytetarët që e duan Shqipërinë dhe kulturën e tyre. Ata që provokojnë duan të na përçajnë. Çdo politikan në këtë shesh është i mirëpritur, qofshin këta socialistë që duan vendin e tyre. Ne duam bashkimin e kombit. Ne duam, paqe dhe qetësi. Ne kemi nevojë për zhvillim. Nuk kemi nevojë për disa njerëz që na ndyjnë.