Mbyllet tryeza shkencore dedikuar origjinës së shqipes

5 Nëntor, 2024 - 2:55 pm

Albanologët e huaj dhe vendas përfunduan tryezën shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut.

Në konferencë u rikonfirmua ndarja e hershme 6000-vjeçare e shqipes dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës, por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit Ballkanik.

U diskutua gjithashtu çështja e emrit të gjuhës shqipe, kur e mori shqipja këtë emër (Michiel de Vaan).

Ndër dukuritë e përbashkëta gjuhësore që ndajnë gjuhët e “Lidhjes gjuhësore ballkanike” (“Balkan Sprachbund”) mjaft interesante është nyja e prapme shquese që haset në gjuhën shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte. Autori i kumtesës përqendrohet në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij (A. Spiro).

Risi e kësaj tryeze janë studimet e kryera me metoda të reja të kombinuara ndërdisiplinore, që nga njëra anë konfirmojnë rezultatet e arritura prej kohësh nga gjuhësia historike-krahasuese indoeuropiane dhe nga ana tjetër bëjnë hapa përpara në drejtim të saktësimit të kronologjisë relative të dallimit të gjuhëve nga trungu i përbashkët indoeuropian, duke hapur edhe shtigje për kërkime të mëtejshme e debate shkencore. Si një nga gjuhët e shkëputura herët nga ky trung i përbashkët, konfirmohet gjuha shqipe si një nga gjuhët më të lashta në Ballkan, ardhur ndoshta drejtpërdrejt nga rajoni anatolian ose nga stepat pontike.

Në mbyllje tryeza u vlerësua një sukses cilësor dhe shprehje e avantazheve që ofron bashkëpunimi midis albanologëve dhe qendrave e institucioneve kërkimore të tyre./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme