Më 1 shkurt mbahet Kuvendi Kombëtar Rinor

18 Janar, 2025 - 6:28 pm

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste njoftoi sot mbajtjen në 1 shkurt të punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor të Partisë Socialiste.

Kryeministri ndau në rrjetet sociale momente nga punimet e Kuvendit Rinor të Durrësit.

“Durrësi Rinor 2030. Kuvendet Rinore në gjithë vendin do të kulmojnë në 1 shkurt me Kuvendin Kombëtar për Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.

Gjatë punimeve të Kuvendit Rinor të Durrësit, kryetarja e bashkisë Durrës Emirjana Sako vlerësoi kontributin e të rinjve në PS.

“Falënderoj të gjithë djemtë dhe vajzat e Durrësit, Krujës e Shijakut që janë bashkuar me PS-në dhe që japin kontributin e tyre që kjo forcë të jetë një laborator idesh novatore të ardhura pikërisht nga të rinjtë. Vetëm nëpërmjet punës jam e sigurt që do të merrni atë që ju takon, meritën, besimin e njerëzve dhe vetëm puna juaj do të jetë rruga e cila do t’ju çojë në destinacionin tuaj”, tha Sako.

Sako theksoi se “PS ka vend për këdo që ka guxim, ide, dëshirë të punojë pa dëgjuar zhurmën e kotësisë, por duke pasur besim te vizioni i Edi Ramës dhe PS-së për ta parë Shqipërinë 2030 në majat e saj më të larta, ashtu siç i takon”.

Nga ana e tyre, të rinjtë vlerësuan se zgjedhjet e mençura sot janë për një të ardhme më të mirë nesër.

“Kjo qeveri ka marrë përgjegjësinë mbi supe, ka arritur të ngrihet mbi sfidat e saj dhe ka mundur që të marrë reforma kaq të rëndësishme për vendin tonë përfitimet e të cilave i hasim në përditshmëri. Duhet punuar tani për të ardhmen dhe e ardhmja është puna e të gjithë neve këtu që të marrim përgjegjësinë por edhe kënaqësinë që e kemi afruar Shqipërinë me BE-në”, u shpreh një nga të rinjtë./ KultPlus.com

Të ngjajshme