19 Tetor, 2024 - 3:55 pm
Nga Jahja Drançolli
Si sot, më 16/19 tetor 1448, u zhvillua Beteja e Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europën mesjetare. Vëmendje e veçantë tërheqin burimet që dolën pas betejës të cilat së bashku me epikën popullore ngatërruan personazhet tregimtarë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 me ato historike të Betejës së Kosovës të vitit 1448!
Ndërsa, për Betejën e Kosovës në vitin 1389, historiografia e sotme ende nuk ka qenë në gjendje të dallojë Kosovën historike nga Kosova mitike, nga ana tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga më të famshmet betejat që ndodhën në Europën Mesjetare. Prandaj, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e frymëzuesve të luftërave anti-osmane të udhëhequr nga Janosh Hunyadi dhe Gjergj Kastriot-Skënderbeu.
Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë arena midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Hunyadi dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati II. Në krah të aleancës europiane ishin arbërorët e drejtuar nga Skenderbeu.
Në verën e vitit 1448, pasi mblodhi njësitë hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Hunyadi kishte kaluar Danubin dhe shkoi në Krushevac. Nga atje, ai mbërriti në Kosovë. Nga ana tjetër, Murati II, pasi u informua nga despoti Brankoviq, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje, kishte mbledhur rreth tij të gjitha njësitë, të cilat numëronin 50,000-60,000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre trefishohet. Njësitë e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore numëronin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta tre-ditore përfundoi me humbjen e ushtrisë së aleancës.
Premtimet e bëra nga Skënderbeu për t’u angazhuar në anën e aleancës së krishterë e kishin inkurajuar Hunyadin të nxitonte për t’u përballur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje dëshmohet sipas burimeve zyrtare dhe narrative. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhës dhe pasojave të betejës, burimet kohore japin detaje për vonesën e shqiptarëve në bashkimin me trupat hungareze. Arsyeja kryesore për vonesën e Skënderbeut ishin pengesat e despotit Gjuragj Brankoviq, aleat i dhëndrit Murat II, i cili mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet në të cilat ai mund të kalonte. Shumica e burimeve, duke justifikuar vonesën e Skënderbeut, nxorrën në pah dhe pa aftësinë e Hunyadit, i cili nuk duhet ta kishte pranuar betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave të epilogut, janë ruajtur detaje për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishin marrë rrugën drejt jugut jo larg Fushë-Kosovës, takuan Skënderbeun, i cili kishte filluar të bëhej bashkëluftëtar i Hunyadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, afër Vushtrrisë, u përpoqën të gjejnë Bogdanin, një paraardhës të Pjetër Bogdanit. Burimet që dolën pas betejës tërheqin vëmendje të veçantë, të cilat së bashku me eposin popullor kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Kosovës në vitin 1389 me ato të Betejës së Kosovës në vitin 1448. Si shembull, mes tjerash këtu, duhet parë librin e përmasave europiane të humanistit nga Raguza, Mauro Orbini (1601), dhe ndonjë tjetër pas tij.!